Shqipëria zhvillon sot Konferencën e 6-të Ndërqeveritare me BE-në, hapen edhe 4 kapituj për integrimin

Shqipëria zhvillon sot Konferencën e Gjashtë Ndërqeveritare në Bruksel, e cila do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Danimarkës për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre.

Pak para takimit, kreu i qeverisë bëri me dije përmes rrjeteve sociale se në 11 muaj, Shqipëria ka hapur 24 kapituj, gjë që sipas tij është një rekord.

“Me padurimin e sotëm për të hapur edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në BE, që i shtohen 24 kapitujve të hapur në vetëm 11 muaj, një ritëm rekord, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama

Ndërkohë Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim, ndërsa shtoi se qëllimi mbetet mbyllja e plotë e negociatave deri në vitin 2027.

Marta Kos: Shqipëria ka ecur kaq shpejt. Kur erdha në dhjetor thuajse gjithçka ishte e kuqe. E kuqja tregon që nuk është hapur ende, e verdha që është hapur dhe e gjelbra që është mbyllur provizorisht. Mesa duket sapo kemi çelur nje tjetër grupkapitull. Sipas planit, do ti hapim të gjitha deri në fund të vitit dhe mbështes planin tuaj për ti mbyllur negociatat, që do të thotë të jenë të gjitha me ngjyrë të gjelbër deri në vitin 2027 dhe pastaj, sigurisht t’ju kemi në BE sa më shpejt të jetë e mundur.