SHBA-të janë në prag të një epoke tjetër dhune politike, dhe Donald Trump “nuk e vret mendjen fare”

Vrasja e Charlie Kirk ka tronditur jo vetëm SHBA-të, por edhe çdo njeri që shqetësohet për të ardhmen e demokracisë. Arrestimi i një të dyshuari, Tyler Robinson, nuk e ka qetësuar aspak situatën, veçanërisht nëse dalin në pah prapavija të mundshme politike që mund të ndezin edhe më shumë tensionet. Frika është se Amerika po hyn në një epokë të re dhune politike – ku dallimet nuk zgjidhen më me fjalë, por me armë.

Historikisht, SHBA ka kaluar nëpër cikle dhune: nga Lufta Civile te vrasjet politike të viteve ’60. Por sot situata është ndryshe. Armatimi në duar private është rritur ndjeshëm – gati gjysma e armëve të botës janë në pronësi të amerikanëve. Ndërkohë, rrjetet sociale kanë zëvendësuar informacionin e balancuar me zhurmën e ekstremizmit, duke përshkallëzuar çdo krizë.

Dikur, në raste të tilla, presidentët amerikanë bënin thirrje për qetësi dhe unitet. Kjo nuk ndodhi tani. Donald Trump, pa pritur hetimet, akuzoi “të majtën radikale” për vrasjen, duke thënë se retorika e saj është burimi i dhunës. Ai shpërfilli faktet: se të gjitha vrasjet e lidhura me ekstremizmin në SHBA në vitet e fundit janë kryer nga të djathtët radikalë.

Trump nuk përmendi sulmet ndaj figurave demokrate – përfshirë vrasjen e një ligjvënëse në Minnesota, zjarrvënien në shtëpinë e guvernatorit të Pensilvanisë apo komplotin për rrëmbimin e guvernatores së Miçiganit. Ai thjesht e përdori vdekjen e Kirk për të ndezur ndarjet dhe për të nxitur hakmarrje.

Mbështetësit e tij ndoqën shembullin: nga thirrjet për “hakmarrje” në Fox News, te pretendimet e Elon Musk se “e majta është partia e vrasjes”. Disa e kanë shpallur këtë si “luftë” të hapur.

Në anën tjetër, figurat demokrate i janë përmbajtur standardeve të qytetarisë: kanë dënuar dhunën, kanë shprehur ngushëllime dhe kanë bërë thirrje për qetësi. Por ky standard nuk zbatohet në të dyja anët. Kur burri i Nancy Pelosi-t u sulmua brutalisht, Trump bëri shaka në vend të ndjesës.

Ka edhe një tjetër kontrast: një koment anonim në rrjet shitet si zëri i “së majtës”, ndërsa retorika e dhunshme e figurave më të fuqishme të së djathtës trajtohet si e padëmshme.

Ndërkohë, shumë nga të majtët shmangin diskutimin për bindjet e vërteta të Kirk. Ai kishte bërë deklarata raciste, antifeministe, konspirative dhe antisemitike. E djathta tani po e kthen atë në një simbol të “arësyes së shëndoshë”, duke anashkaluar ekstremizmin që e karakterizonte.

Kirk e kuptonte mirë si funksionojnë luftërat kulturore dhe e përdorte këtë për avantazhin e tij. Ai e dinte se ai që shkel rregullat ka më shumë gjasa të fitojë. Pyetja që ngrihet sot është: a do ta vazhdojë e majta të luajë me rregulla, ndërsa e djathta i djeg të gjitha?