Niko Peleshi është zgjedhur me votat e mazhorancës kryetar i Kuvendit të ri. Peleshi mori 84 vota pro ndërsa tre vota ishin kundër nga 87 deputetë që morën pjesë në votim.
Ndërkohë deputetët e opozitës, në vend të fletëve të votimit, hodhën në kuti pankarta kundër qeverisë.
Më herët, gjatë seancës plenare, demokrati Gazment Bardhi, deklaroi se PD-ja nuk do të marri pjesë në këtë votim, pasi sipas tij, mazhoranca nuk ka legjimitet për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
“Kjo shumicë nuk ka legjitimitet për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Aq më tepër, emri i propozuar është si të ulësh Klodian Zoton. Me këtë propozim që po bëni, thjesht po na tregoni që filozofia juaj e vetme është vjedhje, krim, korrupsion. Nuk marrim pjesë”, tha Bardhi.
Në sallë ishin 135 deputetë, të cilët më herët u betuan ndërsa Tom Doshi dhe Sabina Jorgo nga PSD hoqën dorë nga mandati që fituan në zgjedhjet e 11 majit.
Ndërkohë në seancën e sotme munguan edhe tre deputetët e PD-së, Jozefina Topalli, Albana Vokshi dhe Oerd Bylykbashi. Ata pritet të betohen në seancën e radhës.