Rama e nis Asamblenë me Reformën në Drejtësi: Nuk jemi penduar, edhe pse e dinim se do na sillte dhimbje

Kryeministri Edi Rama ka hapur sot Asamblenë Kombëtare të PS-së me një mesazh për reformën në drejtësi, duke theksuar se Partia Socialiste nuk ka ndërhyrë kurrë në meritat e çështjeve të drejtësisë dhe nuk ka ndërmend ta bëjë avokatin e asnjë personi që hetohet nga drejtësia.

“Ne, PS, nuk kemi ndërhyrë në asnjë rast në meritat e një çështjeje të drejtësisë. Nuk e kemi bërë dhe nuk do ta bëjmë kurrë avokatin e dikujt që hetohet nga drejtësia, edhe kur ndonjëherë mund të mos na duket e drejtë. Nuk kemi asnjë pendesë për lirinë dhe pavarësinë që i kemi dhënë drejtësisë përmes reformës në drejtësi, dhe mbi të gjitha përmes tërheqjes historike të pushtetit të shumicës nga fusha e pushtetit gjyqësor.

Përmes reformës, i kemi larguar duart e ekzekutivit nga çdo proces përzgjedhjeje apo shkarkimi të prokurorëve dhe gjyqtarëve, si dhe nga çdo formë kontrolli mbi aktivitetin e tyre. Ia kemi lënë pushtetit gjyqësor të qeverisë vetë punët e veta, përmes organeve të zgjedhura jashtë vullnetit të partive politike”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se çdo akuzë për kapje apo kontroll të drejtësisë nga ana e mazhorancës është e pabazuar dhe se ndryshimi i thellë që po ndodh është një hap epokal për vendin, duke shënuar lindjen e një drejtësie të re dhe të pavarur.

“Prandaj, kush flet për kapje apo kontroll të drejtësisë nga ana jonë, me urdhra ose presione, ose nuk di çfarë flet, ose nuk do të pranojë të vërtetën e madhe të ndryshimit që do të shënohet si epokal për një vend ku kurrë më parë nuk ka pasur pavarësi të prokurorëve apo gjyqtarëve.

E kemi ditur se tërheqja nga fusha e gjyqësorit do të na sillte dhimbje dhe do të na bënte dëshmitarë të lindjes së një drejtësie të re. Ne do t’i durojmë të gjitha dhimbjet e këtij procesi historik të pavarësimit të sistemit të drejtësisë. Ne do të durojmë, qoftë edhe kur ato dhimbje vijnë nga helmi i atyre që thonë se ne kemi kapur drejtësinë”, u shpreh kreu i qeverisë.