Dosja “Veliaj”, caktohet gjyqtarja e seancës paraprake për kryetarin e Bashkisë Tiranë

Një ditë pasi SPAK mbylli hetimet për kryetarin e Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj dhe të tjerëve, është caktuar edhe gjyqtarja e seancës paraprake.

Mediat raportojnë se Etleva Deda, është gjyqtarja, e cila do ketë në dorë fatin e dosjes voluminoze të Erion Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe personave të tjerë, të akuzuar si të implikuar në raste e korrupsioni, siç pretendon Prokuroria e Posaçme.

Në njoftimin e tij, SPAK theksoi se Erion Veliaj akuzohet për korrupsion pasive në 9 raste e kryer në bashkëpunim, pastrim parash, fshehje pasurie, futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara dhe shpërdorim detyre.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste e kryer në bashkëpunim, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehja e të ardhurave.

Pjesë e kësaj dosje janë edhe 28 persona e shoqëri, mes tyre edhe socialistja Klotilda Bushka, e cila akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” si dhe biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu dhe Mirton Lika

Në përfundim të hetimeve paraprake të kryera nga SPAK, ka rezultuar e provuar se Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse , të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se Erion Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek disa OJF, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar nga bashkëshortja e tij, e pandehura Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me të.