Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar se vendi i tij do të përballet me sfida të reja dhe në rritje në lidhje me situatën në Kosovë, për shkak të aleancave të reja ushtarake që po formohen në rajon.
Në një intervistë për mediat në Beograd, Vuçiç tha se zhvillimet e fundit përbëjnë një shqetësim serioz për sigurinë kombëtare të Serbisë.
Ai përmendi krijimin e aleancës ushtarake mes Tiranës, Prishtinës dhe Zagrebit, si dhe një tjetër bashkëpunim të thelluar mes Zagrebit dhe Lubjanës.
“Këto aleanca nuk kanë lidhje me Austrinë, e cila është neutrale, por me Serbinë. Ka pritshmëri që edhe Bullgaria t’i bashkohet kësaj aleance. Ministri kroat i Mbrojtjes e ka theksuar këtë disa herë,” tha Vuçiç.
Presidenti serb kritikoi mungesën e reagimit dhe sqarimeve nga institucionet evropiane, duke theksuar se Serbia nuk ka marrë asnjë shpjegim për këto lëvizje të reja në rajon.
“Këto zhvillime trajtohen si krejtësisht normale, edhe pse Kosova nuk është shtet – jo vetëm për ne, por edhe për katër vende anëtare të NATO-s dhe pesë vende të Bashkimit Evropian. Megjithatë, askush nuk dëshiron të flasë për këtë çështje,” deklaroi ai.
Vuçiç nënvizoi se prioriteti i qeverisë serbe mbetet ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon, duke theksuar se investimet në ushtri nuk kanë për qëllim nxitjen e konfliktit.
“Ne investojmë në ushtri jo për të kërcënuar, por për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm. Paqja është kusht për zhvillim. Vetëm në një ambient të sigurt mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë,” përfundoi presidenti serb.