Është zbardhur dëshmia e Ragip Gilës, autori i masakrës së ditës së sotme në Shkodër, ku mbetën të vdekur shtetasit Armando Pali dhe Liridon Kraja, si dhe u plagosën dy të tjerë, Erogen Vaso dhe kamarierja e lokalit Meri Kaceri.
“Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso pas një problemi personal me të”, ka deklaruar Ragip Gila para grupit hetimor.
“Erogen Vaso ka ndenjur duke më kërcënuar dhe kisha probleme me të. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam pasur personale vetëm me të dhe doja të qëlloja vetëm atë,” mësohet të ketë thënë ai gjatë marrjes në pyetje.
Ndërkohë raportohet se gjatë tentativës për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë, 30-vjeçari është rrëzuar nga një lartësi pranë shinave të trenit, në shtratin e lumit Kir, duke dëmtuar këmbën. Në momentin e kapjes, policia i ka bërë thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën.
“E kam hedhur armën, jam dorëzuar, më dhemb shumë këmba”, mësohet të jetë përgjigjur ai, para se të vihej në pranga.
Por edhe pse Gila thotë se ka vepruar vetëm, policia nuk përjashton pistën për persona të përfshirë në këtë ngjarje kriminale, që la pas dy të vdekur dhe 2 të plagosur.