Detaje të reja janë mësuar në lidhje me atentatin me dy të vrarë dhe dy të plagosur që u regjistrua sot në Shkodër.
Mësohet se autori, tashmë i prangosur, Rakip Gila, është futur brenda në lokalin brenda Bashkisë së Shkodrës, ku ndodheshin Armando Pali dhe Erogen Brajoviç (shënjestër e atentatit) dhe ka qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të tyre.
Të shtënat kapën Armando Palin, i cili ndërroi jetë, Liridon Krajën, edhe ky viktimë e atentatit, Erogen Brajoviçin, i cili mbeti i plagosur së bashku me kamarieren e lokalit.
Burime për mediat bëjnë me dije se shënjestër e atentatit ishte Erogen Brajoviç, i cili është anëtar i fisit të Bajrit, vëllai i Denis Brajoviç (Bajri).
Pas atentatit, autori është larguar nga lokali dhe ka ecur në këmbë me armë në dorë për rreth 300 metra. Më pas ka grabitur një automjet duke i vënë armën në kokë drejtuesit të mjetit.
Pasi grabiti makinën ai tentoi që të arratisej, por u aksidentua në zonën e Sarreqit dhe më pas u arrestua nga policia poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir.
Sa i takon autorit, në një vendim të gjykatës së Shkodrës rezulton se Ragip Gila ka qenë i dënuar me 5 vjet burg për prodhim dhe shitje të narkotikëve, por i është ulur në 3 vjet e 4 muaj burg dhe më 4 mars të këtij viti gjykata e Shkodrës ka pezulluar ekzekutimin e dënimit me burg duke e liruar me kusht, që për 5 vite të mos bëjë asnjë vepër penale dhe me shërbim prove.

Ky krim i rëndë vjen pak ditë pas vrasjes së 34-vjeçarit Kristian Kola, në qendër të qytetit të Shkodër, ngjarje kjo ende e pazbardhur nga policia.
Autori ndërkohë është me precedent penal, pasi në vitin 2023 ishte arrestuar u kap me 1 armë gjahu, municion luftarak, 7 jelekë antiplumbë, maska e paruke.