Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-Presidentin Ilir Meta, duke rrëzuar ankimimin e bërë nga avokatët e tij kundër vendimit të Shkallës së Parë.
Sipas Apelit, ekziston rreziku që Meta të ndikojë në dëshmitarë apo të cënojë prova, edhe pse mbrojtja pretendon se hetimet janë mbyllur dhe dëshmitarët kanë dhënë deklarimet e tyre.
Vetë Meta e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe me prapavijë politike, duke akuzuar edhe gjyqtarin për paragjykim dhe shkelje të prezumimit të pafajësisë.
Ish-kreu i Shtetit, Ilir Meta akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tri vepra penale: “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Pas rrëzimit në Apel, Meta ka të drejtë ta ankimojë vendimin në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve.