Optika nuk mund të ishte më e qartë sesa kur udhëheqësi kinez Xi Jinping mbërriti në një paradë masive ushtarake në Pekin, i shoqëruar nga Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un – me rreth dyzetë udhëheqës të tjerë, përfshirë nga Irani, Pakistani, Bjellorusia dhe Mianmari, që i ndiqnin pas.
Ekranet gjigante në Sheshin Tiananmen transmetuan imazhin për 50,000 njerëzit e mbledhur nën diellin e nxehtë të Pekinit për të dëshmuar spektaklin, shumë prej tyre duke valvitur flamuj të vegjël kinezë, ndërsa mediat shtetërore e transmetuan drejtpërdrejt në televizorët kudo në Kinë dhe në botë.
Shumë nga ata që e ndoqën në kryeqytetet e Perëndimit, përfshirë Donald Trump, menduan se mesazhi ishte i qartë: Kina po provokon qëllimisht SHBA-në dhe partnerët e saj.
“Ju lutem, përcillni përshëndetjet e mia më të ngrohta Vladimir Putinit dhe Kim Jong Unit, ndërsa komplotoni kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës,” shkroi presidenti amerikan në rrjetet sociale, ndërsa legjione trupash marshonin në mënyrë të përkryer në qendër të Pekinit.
Për këdo që dëgjoi britmat e jehonshme të mijëra trupave të stërvitur mirë dhe paçavuret e mëdha të raketave bërthamore, dronëve nëntokësorë dhe avionëve luftarakë që fluturonin mbi Rrugën e Paqes së Përjetshme të Pekinit, nuk ka dyshim se Xi po orkestronte shfaqjen më të fuqishme deri tani të Kinës si një lider alternativ global – me forcë ushtarake dhe peshë gjeopolitike.
Kina prej kohësh ka promovuar rritjen e saj “paqësore” dhe ka kritikuar SHBA-në si “ngjallëse lufte.” Por parada, që shënon përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, ishte pa dyshim e menduar për të treguar avancimin e shpejtë të ushtrisë më të madhe në botë dhe për të sinjalizuar aftësinë në rritje të Xit për të projektuar forcë të fortë në arenën globale.
Një mikrofon i hapur që kapte bisedën mes Xit dhe Putinit mbi mundësinë që njerëzit së shpejti të jetojnë deri në 150 vjet falë përparimeve mjekësore, la të kuptohej që të dy shohin një qëndrueshmëri të pozicioneve të tyre që do të drejtojnë një tranzicion global të pushtetit, ashtu si edhe vendimi i Kim për të sjellë vajzën e tij dhe pasardhësen e mundshme me vete në trenin e gjelbër drejt Pekinit.
Përtej pompës së mirëorganizuar, qëndronte një mesazh kyç – se Xi synon një botë ku SHBA-ja dhe Perëndimi nuk do të vendosin rregullat – dhe një pyetje: çfarë do të thotë kjo për SHBA-në dhe botën?
‘Paqe apo luftë’
Për Xiin, vendosja e Kim dhe Putin pranë tij ishte një mënyrë e fuqishme për të theksuar besimin e tij se sistemi ndërkombëtar ekzistues i udhëhequr nga SHBA-ja është shkaku i konflikteve dhe konfrontimeve aktuale, jo burrat që qëndrojnë pranë tij.
“Vetëm kur të gjitha vendet dhe kombet trajtojnë njëri-tjetrin si të barabartë, bashkëjetojnë në paqe dhe mbështesin njëri-tjetrin,” mund të “mbrohet siguria e përbashkët” dhe të “zhduket shkaku rrënjësor i luftës,” tha Xi gjatë një fjalimi të transmetuar përmes altoparlantëve në shesh të mërkurën.
Ky shkak rrënjësor është “mentaliteti i Luftës së Ftohtë, përballja mes blloqeve dhe praktikat e dhunshme,” siç kanë thënë Xi dhe zyrtarët e tij shumë herë, duke përdorur kodin e Pekinit për të përshkruar politikën e jashtme amerikane.
Në fillim të javës, në qytetin port të Tianjinit, udhëheqësi kinez mbylli një samit me liderë rajonalë, përfshirë Kryeministrin indian Narendra Modi, duke zbuluar një “nismë për qeverisjen globale” – një shtyllë e planit më të gjerë të Xit për të riformësuar mënyrën se si funksionon sistemi ndërkombëtar dhe për ta bërë atë më “demokratik.”
Plani, që mbështet Organizatën e Kombeve të Bashkuara, mund të ketë ndikim të gjerë, sipas Wang Yiwei, drejtor i Institutit për Çështje Ndërkombëtare në Universitetin Renmin në Pekin. “Qeverisja globale nuk fokusohet vetëm tek (siguria), por edhe tek financat – sistemi SWIFT, sanksionet, tregtia, qeverisja e inteligjencës artificiale, qeverisja e oqeaneve, ndryshimet klimatike … dhe ne duhet t’i japim Jugut Global më shumë zë dhe pushtet (në OKB),” tha Wang.
Vëzhguesit thonë se iniciativa e Xit synon të jetë një pikë grumbullimi për vendet që ndihen të shtypura nga një sistem ndërkombëtar që ata e shohin si të dominuar padrejtësisht nga Perëndimi – dhe të ndihmojë Kinën të pakësojë fuqinë amerikane në shumë fusha, duke e shpërndarë atë në vende më të favorshme për Kinën.
Kjo mund të ndihmojë Pekinin të formojë një sistem ndërkombëtar ku zhvillimi kombëtar ka përparësi ndaj çdo koncepti të të drejtave individuale të njeriut dhe asnjë aleancë e udhëhequr nga SHBA-ja nuk mund të kufizojë ambiciet e Kinës. Një aranzhim që mund të përfitojë edhe nga synimet e Kinës ndaj demokracisë së ishullit Taiwan, që Pekini e pretendon dhe nuk ka përjashtuar marrjen me forcë.
Goditja e dyfishtë e samiteve të Xit dhe paradës së tij gjatë javës së kaluar dukej e matur mirë për të dërguar një mesazh: ndërsa Kina zgjeron ndikimin dhe fuqinë e butë, ajo gjithashtu po forcon fuqinë e fortë që mund ta mbështesë në rast nevoje.
Edhe pse Kina thekson se ushtria e saj është për qëllime mbrojtëse, shfaqja e fuqisë të mërkurën ka dhënë një pamje të qartë analistëve në të gjithë botën për kapacitetet e saj sulmuese dhe kapacitetin e saj të madh për prodhimin e armëve.
Arsenali i raketave në shfaqje mundëson që Kina të godasë objektiva në mbarë botën dhe të shmangë mbrojtjet e avancuara të raketave me teknologjinë hipersonike; grupi i parë i dronëve luftarakë, si dhe armët me laser, mund ta bëjnë gjithashtu të vështirë për kundërshtarët të ndalojnë avancimin e forcave kineze në rajon në rast sulmi.
Dhe ishte në këtë sfond të shfaqjes së fuqishme që Xi iu drejtua turmës në Sheshin Tiananmen dhe bëri thirrje për njerëzimin të bëjë një zgjedhje të thjeshtë: “paqe ose luftë.”
‘Rivalitet afatgjatë’
Atje, Xi dukej se i referohej një zgjedhjeje të sistemit ndërkombëtar: ai i Kinës apo ai i Perëndimit.
Dhe tani ai mund të ndihet më i sigurt për ta kërkuar nga vendet që të bëjnë këtë zgjedhje, ndërsa Pekini vëzhgon Trump-in duke tronditur rolin tradicional të Amerikës në arenën globale me daljen nga organizatat ndërkombëtare, heqjen e ndihmave të huaja dhe acarimin e aleatëve e partnerëve të vjetër me tarifa dhe kërkesa të tjera.
Por kjo deklaratë tingëllon shqetësuese për shumë vëzhgues kur bëhet së bashku me një shfaqje fuqie ushtarake ku merr pjesë Putin, i cili nisi pushtimin e Ukrainës dhe shkaktoi luftën më të përgjakshme të Europës që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe Kim, i cili e furnizon me armë dhe trupa, ndërkohë që ndërton stoqet e veta bërthamore të paligjshme.
Zyrtarët kinezë kanë thënë prej kohësh se ushtria e Kinës është mbrojtëse dhe kanë theksuar se parada festonte kontributet e Kinës për “ruajtjen e paqes botërore.” Xi i siguroi shikuesit se Kina “mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së zhvillimit paqësor.”
Por ndërsa Pekini forcon lidhjet me Rusinë, Korenë e Veriut dhe vende të tjera jo miqësore ndaj Perëndimit, ndarja në dy kampet dhe garën mes tyre duket më e qartë se kurrë.
Të injorosh këto lidhje mes këtyre vendeve do të ishte “naive dhe e rrezikshme,” tha Edward Howell, lektor për politikën në Universitetin e Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar, i fokusuar në Gadishullin Korean.
“Kundërshtimi i tyre i përbashkët ndaj SHBA-së” hap mundësi për “këmbime në tregti, armë dhe njohuri… për qëllimin më të gjerë të minimit të rendit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA,” shtoi ai.
Dhe ndërsa Pekini shpreson për një botë ku aleancat amerikane shpërbëhen, agresioni i vet në rajon – duke pretenduar territore në Detin e Kinës Jugore dhe ndaj Tajvanit – po afron aleatët amerikanë në Azi më pranë Uashingtonit.
Ndërkohë, duke përballuar sfidat e veta në vend, ku Partia Komuniste po përballet me ngadalësimin e ekonomisë dhe papunësinë e vazhdueshme, disa vëzhgues pyesin nëse stimujt e nacionalizmit si strategji shpërqendrimi mund ta shtyjnë Kinën drejt një pozicioni edhe më agresiv.
Parada e së mërkurës “shërben jo vetëm për të demonstruar fuqinë jashtë vendit, por edhe për të mbledhur nacionalizmin brenda dhe për të forcuar mbështetjen publike përballë sfidave ekonomike,” tha Tong Zhao, bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Carnegie për Paqen Ndërkombëtare në SHBA. Kjo ndihmon Pekinin “të forcojë stabilitetin e brendshëm për të përballuar rivalitetin afatgjatë me Uashingtonin,” shtoi ai.
Dhe brenda vendit, disa po shqyrtojnë me kujdes se ku do të çojnë ambiciet ushtarake të Kinës.
Kolonel i lartë në pension Zhou Bo, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Sigurinë dhe Strategjinë Ndërkombëtare në Universitetin Tsinghua në Pekin, i tha CNN se pret që Kina deri në vitin 2049 të bëhet një ushtri e klasit botëror, duke ruajtur paqen dhe duke vazhduar rritjen.
“Atëherë, Kina synon të jetë në nivel me ushtrinë amerikane. Por atëherë ke një dilemë tjetër: si mund të provosh se ke një ushtri të klasit botëror pa u testuar në betejë?” tha ai./CNN
Përktheu dhe përshtati, Media Ditari