Pasi i betonizoi, Rama kujtohet për plazhet e jugut: Ksamili dhe Dhërmiu nuk do të jenë më plazhe private

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot se plazhet e Ksamilit dhe Dhërmiu nuk do të jenë më private, por do të administrohen nga bashkitë dhe do të jenë plazhe publike.

Sipas tij, këto plazhe që janë nga më të bukurit në botë, janë marrë nga injorantë që sillen me turistët si të ishin skllevër dhe vendosin çmime që dëmtojnë imazhin e turizmit në Shqipëri.

Kreu i qeverisë deklaroi se shumë shpejt do të dalë edhe plani i ri i bregdetit me të gjithë plazhet që do t’i kalojnë bashkive, ku Ksamili dhe Dhërmiu janë të sigurt.

“Po e nis me plazhet e dhunuara. Kjo është fjala e duhur për plazhin e Ksamilit, po marr atë se është një ndër plazhet më të bukur të botës dhe nuk mund të jetë më pre e injorantëve që e shikojnë si një tokë për tu pushtuar dhe pastaj për tu sjellë me turistët e vizitorët si të ishin skllevër që mund të hanë edhe shkopin e çadrës në kokë, apo për të vënë çmime për të qëndruar në një dendësi të paimagjinueshme në plazhe, që janë çmime që vetëm lëndojnë imazhin e turistëve shqiptar. Në tërësi ne duhet të shërojmë plazhet e dhunuara, tua heqim nga dora privatëve. Nuk ka arsye më që plazhi publik i Ksamilit të jetë plazh privat.

Ata të cilët janë mësuar të dhunojnë plazhet me shezlonge të ngjitur me njëri tjetrin dhe me bishta çadrash, të mos marrin më mundimin të aplikojnë fare. Shumë shpejt do nxjerrim edhe gjithë planin e ri për bregdetin, dhe në bashkëpunim me gjithë bashkitë do të kuptojmë se cilët plazhet bashkitë do i marrin tërësisht. Por dy janë të sigurta, Kasmilin dhe Dhërmiun  ”, tha Rama.