Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar në lidhje me skandalin e radhës ku Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina bllokuan një sasi të madhe prej 5.5 ton pjeshkë me pesticide. Më konkretisht ngarkesa e nisur nga Shqipëria drejt shtetit kroat kishte prani të Nikelit mbi normën e lejuar te pjeshkët.
AKU thotë se ka kryer inspektim në subjektin nga ku është nisur ngarkesa dhe rezultoi se nuk kishte më produkt në gjendje.
Sipas AKU-së, rezultoi se produkti ishte dërguar i gjithi për eksport dhe se nuk ishte shpërndarë në tregun vendas. Ndërkohë sasia prej 5562 kg që u dërgua drejt Kroacisë është asgjësuar.
Njoftimi:
Më datë 22.08.2025, Shqipëria është njoftuar nga Sistemi RASFF, në kategorinë Njoftim për refuzim në kufi me numër reference 2025.6367 me temë: “Nikel në pjeshkë me origjinë nga Shqipëria”, të njoftuar nga Kroacia.
Nga analizat e kryera në shtetin kroat, është konstatuar prania Nikel mbi normën e lejuar.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, rasti i kaloi për ndjekje strukturave të Drejtorisë Rajonale të AKU Fier.
U krye inspektim në OBU eksportues, ku rezultoi se nuk ka gjendje të produktit në magazinat e tij.
Subjekti disponon sistem gjurmueshmërie, ku u verifikua se produkti është dërguar i gjithi për eksport dhe nuk është shpërndarë në tregun vendas.
Sasia prej 5562 kg pjeshkë janë dërguar drejt Kroacisë, ku dhe janë asgjëuar pas rezultatit të analizës laboratorike. Rasti iu referua dhe AKVMB për masa të mëtejshme.
AKU ka bërë edhe njoftimin përkatës mbi rezultatet e verifikimeve në kategorinë e njoftimeve RASFF.