Mbledhja e fundit e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) është shoqëruar me tensione të forta, pasi diskutimi mbi projektbuxhetin e vitit pasues ka ndezur debat të ashpër mes anëtarëve të këshillit.
Anëtari i KLP-së, Sokol Stojani, ka kritikuar ashpër dhe me gjuhë të drejtpërdrejtë kryetaren Mirela Bogdani, duke e akuzuar për mungesë vizioni dhe për një drejtim që, sipas tij, po çon institucionin në një “katastrofë funksionale”.
Ai ka vënë në pikëpyetje prioritetet e buxhetit të propozuar, duke e konsideruar “të pakuptimtë” fokusimin kryesor te garantimi i pagave dhe shpenzimet për aktivitete të cilat, sipas tij, nuk përbëjnë domosdoshmëri institucionale.
Në qendër të debatit ka qenë parashikimi i 15 “retreat-eve” – aktivitete disa ditore, të cilat zhvillohen jashtë institucionit, kryesisht jashtë Tiranës. Stojani i ka quajtur këto organizime si të panevojshme dhe një barrë të pajustifikuar për buxhetin.
‘Po e konsideroj si kohë pushimesh dhe vape, si argumente të prezantuara në kohë pushimi dhe vape. Por më thua se ne kemi prioritete, dhe prioriteti ishte garantimi i pagave. Oh Zot! Garantimi i pagave nuk është diskutuar as në ’97-ën! As në ’97-ën! Ky është vizioni. Pastaj thotë, se do bëjmë parashikime, 15 retreat-e. 15? Çfarë jemi ne, agjenci udhëtimi? Çfarë jemi këtu? Si do kthehet kjo, në KLP TRAVEL?! Të lutem shumë’, tha Sokol Stojani, anëtar i KLP-së.
Ai madje tha se veprimet e Bogdanit gjatë sezonit veror kishin çuar jo vetëm në keqfunksionimin e institucionit, por gati gati në akte, që mund të përfundonin me përgjegjësi penale.
‘Në mënyrë abuzive, zonjë kryetare, ju keni ndikuar te kryesekretaria që të mos protokollohen gjërat. Të mos protokollohen kërkesat, ankesat, korespondenca dhe çfarëdo lloj gjëje qoftë nga qytetarët, qoftë nga personeli i brendshëm i institucionit. Ju, në mënyrë abuzive, keni anuluar, megjithëse ishit me leje dhe nuk kam asgjë, absolutisht, për lejet. A ikën në plazh, a ikën në mal. Por ikët në plazh dhe, në kundërshtim me ligjin, nuk njoftuat zv.kryetarin dhe sekretarin e përgjithshëm që të vijonte normalisht institucioni. Nëse ju nuk arrini të perceptoni drejt gjëra elementare…”, thotë ai
Ndërhyn Bogdani: “Tani, ky është gjykimi juaj, të lutem!
‘Të lutem, unë do bëj vlerësimet. Bëj detyrën, por duhet bërë në bazë të ligjit’, thekson Stojani.
Ai pohoi se ishte turpëruese për KLP dokumenti, i cili iu dha magjistratëve të rinj për prokurorë dhe po ashtu edhe ceremonia e emërimit të tyre. Ai tha se ceremonia e magjistratëve të rinj nuk kishte organizim dhe e gjitha shtoi ai ngjante me një vaki.
‘Dokument pa titull. Dokument që nuk ka asnjë titull, asnjë lloj emërtimi. Dokument që nuk mund të quhet dokument. Ja keni dhënë atyre. Na keni vënë ne që të japim një gjë turpëruese për magjistratin. Ky është eventi më i rëndësishëm që ka magjistrati. Dhe çfarë bëhet? Si vaki. Si vaki, nuk u organizua. Nuk u morën as familjarët e tyre për të ndarë gëzimin. Nuk u ftuan as prokurorët e rretheve për t’i mirëpritur. Nuk u ftuan as personalitetet e lartë të shtetit, siç duhet të ishin’, tha Stojani.
Sakaq, A2CNN shkruan se në audion 57-minutëshe nuk paraqitet mbyllja e mbledhjes dhe as replika e bërë nga kryetarja. Të gjitha këto debate mbi buxhetin dhe mungesën e lidershipit në KLP bëhen në një kohë kur ky Këshill nuk ka reaguar për asnjë nga sulmet që i janë bërë prokurorëve nga pushteti ekzekutiv gjatë verës.