Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur të dielën pasdite në Luksemburg ka rezultuar fatal për pesë persona, mes tyre tre shqiptarë nga Kosova.
Shqiptarët që kanë humbur jetën janë identifikuar si Edonik Kastrati, Ukë Bajraktaraj dhe Ujkan Bajraktaraj. Lajmi është konfirmuar nga familjarët e tyre në rrjetet sociale.
Në aksident janë përfshirë një automjet dhe një furgon.
Pas përplasjes, të dy automjetet morën flakë dhe u shkatërruan plotësisht. Autoritetet konfirmuan se të pesë pasagjerët e mjeteve humbën jetën në vendngjarje.
Autoritetet luksemburgase nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi rrethanat e aksidentit, ndërsa hetimet janë në zhvillim e sipër.