Lamtumirë Dhimitër Anagnosti! Mbyllen homazhet për “babain” e kinematografisë shqiptare

Pas tre orësh janë mbyllur homazhet në nder të regjistorit të njohur Dhimitër Anagnosti, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.

Homazhet u mbajtën nga ora 10:00 deri në 13:00 në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Familjarët, miqtë, artistë dhe personalitetet më të larta të politikës nderuan për herë të fundit figurën e “babait” të kinematografisë shqiptare. Trupi i tij do të prehet në Vuno, në vendin e tij të lindjes.

Presidenti Bajam Begaj, kryeministri Edi Rama, kreu i PD Sali Berisha, ishin mes politikanëve që bën homazhe për “babain” e kinematografisë shqiptare.

Ndërkohë me një vendim të Këshillit të Ministrave, 2 shtatori u shpall ditë zie kombëtare dhe flamujt u ulën një gjysmë shtizë.

Dhimitër Anagnosti konsiderohet si një nga mjeshtrat më të mëdhenj të ekranit shqiptar.

Ai është regjisor i filmave që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e qytetarëve si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit”, dhe shumë të tjerë.

Dhimitër Anagnosti mbetet një ikonë e kinemasë shqiptare, një artist dhe mentor i paharrueshëm, i cili ka lënë gjurmë të thella në kulturën dhe artin e vendit.