Zhvilluesit po nxitohen të ndërtojnë resorte luksoze. Por vendasit kanë frikë se mënyra e tyre e jetesës është në rrezik dhe zemërimi po shpërthen ndaj taktikave të “dorës së fortë”.
Polici në pension shtrëngoi krahun dhe buzëqeshi.
“I sheh ato gurë?”, tha Hyso Xhuveli, 75 vjeç, duke treguar me dorë objektet e shumta të mprehta që shtriheshin përreth rrugës së pashtruar, gati për t’u hedhur. – “Këtë do të bëjmë nëse ata kthehen.”
Xhuveli nuk dukej sikur po bënte shaka. Para disa muajsh ai ndihmoi të përzinte një eskavator të dërguar në Tragjas, një fshat në jug të Shqipërisë, në emër të njeriut më të pasur të vendit, për të hapurr tokën ku qëndronim.
Shoferi i Caterpillar-it kishte ardhur për të nisur punën për një tub që do të sillte ujë nga burimi lokal drejt Green Coast, një kompleks resort prej miliarda eurosh që po ndërtohet nga Samir Mane, tajkun i pajisjeve shtëpiake, 15 milje përgjatë bregut të Adriatikut.
Burimi ka ushqyer fshatin që nga koha e ilirëve, fqinjët e grekëve të lashtë. Ai furnizon pellgun kristal të pastër të fshatit dhe ushqen lule të egra, arat e grurit dhe barin e gjelbër të dendur ku kullosin lopë e dele.
Punimet për Green Coast nisën katër vjet më parë, dhe dy nga katër seksionet e planifikuara tani janë të hapura. Kur të përfundojë, do të mbulojë 90 hektarë dhe do të përmbajë vila luksoze dhe shtatë hotele me pesë yje, si dhe restorante, plazhe private, stacione policie e ambulance dhe një helipad. Është zhvillimi më i madh turistik i Shqipërisë që nga koha kur vendi u hap për të huajt pas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1990.
Pengesa e tij është një revoltë. Në mars, Xhuveli dhe disa qindra burra e gra të tjerë nga Tragjasi rrethuan eskavatorin, duke u përleshur me rreth 50 policë derisa ata u tërhoqën nëpër kodra. Asnjë pëllëmbë toke nuk u prek.
Fshati është një nga mbi 30 komunitete që kanë protestuar kundër një rrjeti tubacionesh të destinuara të shërbejnë Green Coast dhe resorte të tjera aty pranë, që së bashku do të zënë një zonë sa gjysma e Londrës së Madhe.
Fshatarët kanë frikë se tubat do t’i lënë pa ujë të mjaftueshëm për të jetuar mbi tokë. Pas një historie të gjatë përballjesh me pushtuesit, përfshirë edhe si partizanë që luftuan përkrah oficerëve britanikë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ata nuk frikësohen lehtë.
“Mbaje mend fjalën time, do të ketë gjak nëse kjo gjë vazhdon…” – tha Mezin Ramohitoj, kryetari i fshatit, që është murator. – “Ende ka vend në memorialin e luftës së fshatit.”
Gjatë pjesës më të madhe të gjysmës së dytë të shekullit XX, Shqipëria ishte një shtet komunist i varfër, i izoluar nga gjëra të tilla si turizmi, nën diktaturën e Enver Hoxhës. Me bunkerë bërthamorë dhe burgje për disidentët, vendi quhej “Koreja e Veriut e Europës”. Sot, përdorues të TikTok-ut dhe Instagram-it e etiketojnë si “Maldive e Europës” ose “Tajlanda e Europës”.
Agjentët e udhëtimeve shohin një minierë ari të re mesdhetare, me plazhe të bardha dhe ujëra blu po aq tërheqëse sa në Greqi, Itali apo Kroaci. Shqipëria tani renditet si destinacioni turistik me rritjen më të shpejtë në Europë, me 11.7 milionë vizitorë të regjistruar vitin e kaluar — ndonëse shifra mund të jetë fryrë nga hyrje-daljet e punëtorëve turq të naftës dhe shqiptarëve të diasporës, të numëruar çdo herë që hyjnë.
Vlora ka ndryshuar me shpejtësi. Hotelet dhe zhvillimet turistike po shtohen si kurrë më parë përgjatë rivierës shqiptare, midis Vlorës dhe Sarandës. Në vitet 2000, Saranda kishte vetëm dy hotele; sot ka rreth 600.
Një në pesë shqiptarë punon në turizëm, ndërsa filipinas dhe aziatikë jugorë po vijnë gjithnjë e më shumë si punonjës shërbimi. Këtë verë, Ryanair dhe linja të tjera ajrore kanë operuar 44 fluturime javore nga Britania në Tiranë. Ndërkohë, qeveria po ndërton një aeroport në Vlorë me plane për fluturime direkte nga SHBA.
Edhe familja Trump ka shfaqur interes. Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, kanë shpallur plane për një hotel prej 1.4 miliardë dollarësh në ishullin e pabanuar të Sazanit, përballë Vlorës.
Por shumë nga këto projekte janë të diskutueshme. Aktivistët akuzojnë qeverinë e Edi Ramës për dhënie tokash me çmime të ulëta për investitorë të preferuar, duke injoruar ndikimin mbi mjedisin. Kritikët veçojnë sidomos ligjin për “investime strategjike”, prezantuar në vitin 2015, i cili u lejon investitorëve të marrin tokë për vetëm 1 euro, me detyrimin ligjor të shtetit për t’u siguruar ujë, rrugë e energji. Për Green Coast, qeveria ndërtoi edhe një tunel rrugor përmes malit. Ligji u ofron gjithashtu investitorëve mbrojtje nga pretendimet e pronësisë.
Banorët përgjatë bregdetit thonë se u janë ofruar shuma të mëdha për shtëpitë, duke u ndjerë të detyruar të pranojnë. Një raport i Civic Resistance në vitin 2021 e quajti ligjin “një formë presioni” ndaj pronarëve, që ose pranojnë marrëveshje, ose rrezikojnë shpronësim me vlerë më të ulët se tregu.
Samir Mane, i listuar nga Forbes me pasuri 1.5 miliardë dollarë, këmbëngul se toka për Green Coast është blerë rregullisht dhe për një shumë shumë më të madhe se 1 euro.
Megjithatë, histori si ajo e një burri në Vlorë, i cili tha se i ishte shembur hyrja e shtëpisë për t’i hapur rrugë një marine pa asnjë kompensim, ushqejnë mosbesimin. “Në Britani keni ligje. Këtu është ligji i më të fortit,” tha ai.
Turizmi i shpejtë ka sjellë pastrim parash, sipas Global Initiative Against Transnational Organised Crime, e cila thotë se hotelet e restorantet janë përdorur shpesh për këtë qëllim. Shumë kompani ndërtimi dyshohen si fasada të krimit të organizuar. Megjithatë, nuk ka prova që Mane të jetë i përfshirë.
Politika shqiptare, përshkruhet shpesh nga gazetarët si një “sport gjaku” i familjeve elitare. Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në burg për akuza korrupsioni. Prokurorë në Sarandë janë pezulluar apo dënuar për ryshfet.
Një humbës i qartë nga ky bum është mjedisi. Biologët thonë se 70% e investimeve strategjike janë në zona natyrore të mbrojtura. Green Coast, i ndërtuar pranë Parkut Kombëtar Vjosë, pritet të marrë ujë nga një lumë ku jetojnë 13 specie të kërcënuara. Kompania pretendon se ka ujë të mjaftueshëm për të gjithë, por fshatarët thonë se matjet janë të vjetra dhe burimet po pakësohen nga ndryshimet klimatike.
Lexo edhe: Etja për ujë e resorteve ‘strategjike’ përplas qeverinë me komunitetet lokale
Shembulli i Myzafer Xhuvelit, 80 vjeç, tregon pasojat: si bari, ai është detyruar të pakësojë tufën nga 1,000 dele për shkak të mungesës së ujit. Tubi kalon mu pranë shtëpisë së tij, që rrezikon të shembet.
Në fshatra të tjera, si Kallarati, banorët kanë bllokuar makinat e punimeve, madje i kanë përmbysur. Qeveria ka dislokuar njësi speciale policie dhe të blinduar në rajon. Protestat në Vlorë janë shpërndarë me gaz lotsjellës.
“Qeveria jonë është përkrah tajkonëve,” – tha Xhuveli. – “Nuk kemi ku të mbështetemi, përveç tek vetja.”
Ai dhe të tjerë krahasojnë situatën me vitin 1997, kur pas kolapsit të skemave piramidale, fshatarët u armatosën dhe ngritën barrikada kundër policisë.
Sot, ndërsa ekonomia rritet dhe jahtet italiane zbarkojnë në Dhërmi, Himarë e Jalë, banorët e Tragjasit nuk ndihen pjesë e këtij vizioni. “Ne nuk duam të bëhemi shërbëtorë në hotelet e tyre,” – tha Ramohitoj. – “Duam të jetojmë siç kemi jetuar gjithmonë, duke punuar tokën tonë dhe duke pirë ujin tonë.”
Në sheshin e fshatit, burrat e moshuar ruajnë kujtime të hidhura nga pushtimet italiane, gjermane, greke e turke. Të rinjtë shohin me mosbesim çdo makinë të huaj. Të gjithë ndihen se përballen me një pushtim të ri: atë të parave dhe luksit.
“Ne jemi gati të vdesim për këtë ujë,” – tha Xhuveli, duke treguar përsëri burimin e fshatit. – “Pa të, nuk jemi asgjë. Ata duhet ta dinë këtë.”/ The Times
Titulli është redaksional, titulli origjinal: Bum dhe përplasje në Rivierën Shqiptare, teksa banorët përballen me tajkunët