Zjarr i madh në fshatin Vajzë të Selenicës, digjen ullishte e pemëtari

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë fshatin Vajzë në bashkinë e Selenicës që prej mbrëmjes së kaluar, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe me ullishte dhe pemëtari.

Sipas dëshmive të banorëve, gjatë natës nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje nga shërbimet zjarrfikëse. Vetëm mëngjesin e sotëm ka mbërritur në vendngjarje një automjet zjarrfikës nga Selenica, i cili së bashku me banorët është angazhuar në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve.

Zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe situata vazhdon të jetë kritike. Banorët janë të shqetësuar se, nëse nuk ndërhyjnë forcat shtesë të emergjencave civile, flakët mund të përfshijnë edhe zona të tjera, duke rrezikuar jo vetëm pasuritë bujqësore, por edhe banesat.