Dy persona janë vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë në një shkollë në Minneapolis. Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, thotë se sulmi ndodhi në Shkollën Katolike Annunciation dhe e quan atë një “akt të tmerrshëm dhune”.
Nuk ka “asnjë kërcënim aktiv” në zonë tani dhe personi i armatosur është i vdekur, thonë autoritetet. Nga 20 personat e plagosur, 10 prej tyre janë në gjendje kritike, raporton CBS.
Autori i vrasjes, një burrë, ishte veshur tërësisht me të zeza dhe mbante një pushkë. Autori mësohet se është vetëvrarë pas sulmit.
Disa agjenci, përfshirë FBI-në, patrullën shtetërore dhe policinë e Minneapolis-it, janë në vendngjarje.
Presidenti Donald Trump shkroi në Truth Social se është “informuar plotësisht për të shtënat tragjike në Minneapolis, Minnesota”. Trump e konsideron ngjarjen si një skenë të tmerrshme, teksa shton se situatën po e mban në monitorim.
“FBI-ja reagoi shpejt dhe është në vendngjarje. Shtëpia e Bardhë do të vazhdojë të monitorojë këtë situatë të tmerrshme. Ju lutem bashkohuni me mua në lutje për të gjithë të përfshirët”, tha ai.