Ka marrë përmasa më të mëdha zjarri që ka nisur që prej ditës së djeshme në pyllin e Poros në Vlorë. Pamjet flasin për një situatë apokaliptike teksa tymi i dendur ka mbuluar zonën dhe është përhapur drejt qytetit të Vlorës.
Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse, ushtria dhe efektivët e Emergjencave Civile që po punojnë për shuarjen e flakëve. Ndërsa nga ajri po ndihmojnë dy helikopterë.
Situata e përmirësua gjatë ditës por vatrat e zjarrit janë riaktivizuar pasditen e sotme për shkak të erës së fortë, disa prej të cilave ishin fikur më herët nga zjarrfikësit.
Ndërkohë është vënë nën kontroll vatra e zjarrit në Bogovë të Skraparit, e cila kishte marrë përmasa të mëdha ditën e hënë. Me ndihmën e dy helikopterëve dhe shërbimit zjarrfikës, të ndihmuar edhe nga efektivët e forcave, vatra e zjarrit në sipërfaqen me pyje është neutralizuar dhe po mbahet nën monitorim.