Ndërroi jetë pas një sulmi në zemër, mbahen sot homazhe në ambientet e Akademisë së Arteve për gazetarin Artur Zheji

Gazetari dhe analisti i njohur Artur Zheji do të përcillet këtë të hënë drejt banesës së fundit, duke lënë pas një trashëgimi të pasur në fushën e medias dhe gazetarisë.

Ai u nda nga jeta në mënyrë të papritur në moshën 64-vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak, teksa ndodhej me pushime me familjen në qytetin e Sarandës.

Homazhet për Zhejin do të mbahen në Akademinë e Arteve, nga ora 10:00 deri në 12:00, ndërsa më pas ai do të përcillet në banesën e fundit në varrezat e Tufinës.

Artur Zheji ka dhënë një kontribut të vyer në mediat shqiptare si gazetar, analist dhe drejtues emisionesh televizive, përfshirë emisionin “360 Gradë”, të cilin e drejtoi deri në korrik 2025.

Ai ishte gjithashtu publicist dhe kishte mbajtur role të rëndësishme drejtuese në media. Gazetari Artur Zheji ishte djali i përkthyesit dhe shkrimtarit të njohur Petro Zheji dhe aktores Besa Imami.