Vijon ngërçi politik në Kosovë/ Pas Haxhiut, as Donika Gërvalla nuk i merr votat për kryetare të Kuvendit

Kuvendi i Kosovës dështoi sërish në seancën për konstituim, edhe pas urdhrit të Gjykatës Kushtetuese që urdhëroi deputetët që brenda 30-ditësh duke nisur nga 18 gushti të themelojnë organin ligjvënës.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares. Por kandidatura e saj ka dështuar që të zgjidhet kryeparlamentare, pas votimit të hapur të mbajtur në seancën konstituive. Për të votuan 57 vota për, 56 ishin kundër dhe 3 abstenim.

Më pas, Glauk Konjufca propozoi Donika Gërvallën për kryeparlamentare, por edhe ajo nuk u zgjodh pasi nuk i mori 61 votat e nevojshme.  Seanca e radhës është caktuar për ditën e premte në ora 11:00. 

Opozita mban qëndrime të ndara, PDK voton vetëm kandidatë që s’kanë qenë ministra të Kurtit, LDK kërkon marrëveshje, dhe AAK ka përmendur emrat e Shqipe Selimit e Saranda Bogujevcit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, drejtoi akuza ndaj PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe partive të tjera për bashkim në bllokimin e konstituimit të Kuvendit.

Ai tha se këto parti janë bërë bashkë për të penguar formimin e institucioneve dhe si dëshmi për këtë, sipas tij, është mosvotimi i Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit.