Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka lënë ambientet e QSUT-së, ku ishte i shtruar prej gati një muajsh për trajtim mjekësor, dhe është rikthyer tashmë në ambientet e paraburgimit në Durrës.
Burime për mediat bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e tij është përmirësuar, pas shtrimit më 15 korrik për shkak të një infeksioni të rëndë në lëkurë dhe temperaturë të lartë.
Beqaj mbahet në paraburgim prej më shumë se një viti, pas arrestimit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Ai është nën hetim për dy çështje penale: dosjen “SASPAC”, ku akuzohet për abuzim me fondet e BE, dhe çështjen e koncesionit të sterilizimit.
Ish-ministri u arrestua në korrik të 2024-ës me urdhër të SPAK pasi një hetim zbuloi procedura prokurimi të pavërteta të organizuara nga drejtoria që ai drejtonte me fondet e BE-së, ku përfitimi i kalonte përmes restorantit Gzona, pronë e fshehur e Beqajt.
Përveç kësaj, SPAK ka zbuluar se Beqaj ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin e sipërmendur që nga krijimi e deri në vazhdim. Ish ministri, interesat e tij pasurore mbi ketë restorant i ka ushtruar përmes Ermal Kurtulajt, i cili ishte administratori, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore. Gjithashtu ish-ministri ka fshehur edhe blerjen e një automjeti të blerë në vitin 2019 në emër të Kurtulajt, pasuri e cila u sekuestrua nga SPAK.