Një autobus me pasagjerë nga Kosova është përfshirë në një aksident në Gjermani. Për pasojë 30 persona mbetën të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë që ndodhen në spital. Katër persona të tjerë morën gjithashtu ndihmë mjekësore.
Mediat në Kosovë bëjnë me dije se aksidenti ndodhi në autostradën A8 pranë kryqëzimit të Irschenbergut, kur autobusi u përplas me një kamion.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, shoferi i autobusit e kishte vënë re me vonesë kamionin dhe ndonëse u përpoq të devijonte, nuk e shmangu dot përplasjen.
Kamioni, i cili ishte i ngarkuar me perime, humbi një pjesë të ngarkesës për shkak të përplasjes.
Për pasojë, autostrada në drejtim të Mynihut u bllokua për disa orë për pastrimin dhe heqjen e mjeteve, duke u rihapur rreth orës 03:00 të mëngjesit.