Pak orë para takimit, Trump i kërkon Zelenskyt të heqë dorë nga Krimea dhe të pranojë të mos i bashkohet kurrë NATO-s

Pas samitit të së premtes në Alaskë mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, presidenti amerikan do të takohet sot me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Trump po shton presionin mbi Ukrainën që të bjerë dakord për kushtet për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, duke i bërë jehonë disa prej pikave të diskutimit të Moskës dy ditë pas takimit me Presidentin Vladimir Putin.

Mbrëmjen e së dielës, Trump parapriu mesazhin që do t’u përcjellë vizitorëve të Shtëpisë së Bardhë: Zelensky duhet të bjerë dakord me disa nga kushtet e Rusisë që lufta në Ukrainë të përfundojë. Kushtet që ai përmendi – që Ukraina të heqë dorë nga Krimea, të cilën Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, dhe që të pranojë të mos bashkohet kurrë me NATO-n – janë ndër ato që Putini ka vendosur për t’i dhënë fund luftës.

Pasi ka mbërritur në Uashington për takimin me Donald Trump, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkroi në rrjete sociale duke shprehur mbështetjen për SHBA-të dhe partnerëve evropianë. Rusia duhet ta përfundojë luftën që nisi, shton Zelensky, duke shprehur bindjen që së bashku me SHBA dhe evropianët do ta detyrojnë atë që të bëjë një paqe të drejtë.

“Jam mirënjohës. Ne të gjithë ndajmë një dëshirë të fortë për ta përfunduar këtë luftë shpejt dhe me besueshmëri. Paqja duhet të jetë e qëndrueshme. Jam i bindur se ne do ta mbrojmë Ukrainën, do të sigurojmë sigurinë e saj dhe populli ynë do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj Trump, Amerikës dhe çdo partneri për mbështetjen dhe ndihmën e tyre të paçmuar. Rusia duhet ta përfundojë këtë luftë, të cilën e filloi vetë. Dhe shpresoj që forca jonë e përbashkët me Amerikën dhe miqtë tanë evropianë mund ta detyrojë Rusinë të bëjë një paqe të vërtetë.”, shkroi ai.