Policia në Himarë ka zbuluar një parcelë me rreth 150 bimë të dyshuara si kanabis sativa, të mbjella në një zonë të pyllëzuar mes fshatrave Lukovë dhe Shën Vasil. Në kuadër të operacionit policor antikanabis “Koordinata”, u arrestuan në flagrancë dy shtetas si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie të paligjshme.
Të arrestuarit janë F. S., 62 vjeç dhe Ç. Xh., 47 vjeç, të cilët u kapën duke u kujdesur për bimët narkotike. Veprimtaria e tyre është dokumentuar me pamje filmike të siguruara përmes monitorimit me dron, duke bërë të mundur ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit.
Gjatë kontrollit në terren, u sekuestruan 20 bimë narkotike në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër e bimëve u asgjësua me djegie. Po ashtu, policia sekuestroi 3 telefona celularë, vegla pune dhe mjete të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, ndërkohë që hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm dhe zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.
Njoftimi i Policisë:
Kontrolle intensive në terren, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Finalizohet me sukses një rast i goditjes së kësaj veprimtarie kriminale, si rezultat i planit operacional policor antikanabis “Koordinata”.
Gjenden të kultivuara, në një parcelë mes fshatrave Lukovë dhe Shën Vasil, 150 bimë narkotike Cannabis Sativa.
Arrestohen në flagrancë 2 autorët e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike.
Shërbimet e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, si rezultat i kontrolleve të kryera në kuadër të planit operacional “Koordinata”, goditën një rast të kultivimit të bimëve narkotike, si rezultat i të cilit u vunë në pranga, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, shtetasit:
• F. S., 62 vjeç
• Ç. Xh., 47 vjeç
Këta shtetas u kapën në flagrancë duke u kujdesur për bimët, veprim i dokumentuar edhe në pamje filmike, gjatë monitorimit me mjetet inteligjente dron.
Konkretisht, në prroin mes fshatrave Lukovë dhe Shën Vasil, në një zonë me bimësi të dendur dhe shkurre, këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin kultivuar rreth 150 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 20 bimë narkotike, ndërsa pjesa tjetër e bimëve u asgjësua nëpërmjet djegies.
Gjithashtu, u sekuestruan 3 telefona celular, vegla pune dhe sende të tjera që përdoreshin nga dy shtetasit për këtë veprimtari kriminale.
Plani operacional policor antikanabis “Koordinata” vijon intensivisht, në të gjithë territorin e qarkut Vlorë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.