Westport, qyteti që prodhon botoksin e gjithë botës, nën trysninë e tarifave të Trump

Në perëndim të Irlandës, në qytetin bregdetar të Westport-it, prodhohet pjesa më e madhe e botoksit në botë. Fabrika e kompanisë farmaceutike AbbVie, e cila punëson mbi 1,300 persona vendas dhe rreth 500 kontraktorë, është shtylla kryesore ekonomike për një qytet me vetëm 7,000 banorë.

Botoksi terapeutik, i përdorur për trajtimin e kushteve si spazmat muskulare, migrenat dhe djersitja e tepruar, solli 3.3 miliardë dollarë fitime për AbbVie vitin e kaluar. Ndërkohë, shitjet e botoksit kozmetik, i përdorur për reduktimin e rrudhave, arritën në 2.72 miliardë dollarë.

Por vendimi i fundit i presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e taksave 15% mbi eksportet farmaceutike nga Bashkimi Europian ka shqetësuar komunitetin e Westport-it. Tarifat kërcënojnë të godasin rëndë fabrikën që për dekada ka qenë burim i qëndrueshëm i punësimit dhe zhvillimit lokal.

Fabrika përpunon dhe paketojnë botoksin në formë pluhuri për eksport në rreth 70 vende, ku Shtetet e Bashkuara janë tregu më i madh, duke përbërë 70% të të ardhurave.

Banorët dhe bizneset lokale shprehin shqetësim për pasojat që mund të sjellë kjo politikë e re. “Punonjësit janë të shqetësuar për vendet e tyre të punës,” thotë Anne-Marie, pronare qendre ditore për fëmijë, ku lënë fëmijët e tyre punonjës të fabrikës.

Ndërsa negociatat tregtare vazhdojnë, komuniteti i Westport-it mbetet i shqetësuar për të ardhmen e industrisë që ka mbajtur qytetin gjallë për dekada.