Bashkimi Evropian ka hapur rrugën për një ndryshim të madh në mënyrën si financohet, duke propozuar huazime të reja në emër të gjithë bllokut, një ide që ka ndezur debat të fortë mes vendeve anëtare, veçanërisht Gjermanisë dhe Holandës.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka propozuar një rritje të kompetencave të Brukselit për të marrë borxhe nga tregjet ndërkombëtare, si pjesë e buxhetit shtatëvjeçar të BE-së. Këto fonde do të përdoren për ndihmë ndaj Ukrainës, përballimin e krizave të paparashikuara dhe mbështetje për shtetet anëtare.
Por Gjermania dhe vendet e tjera të ashtuquajtura “kursimtare” janë kundër, duke e parë këtë si një rrezik për të ardhmen e BE-së.
“Nuk mund të kemi programe të financuara nga borxhi,” deklaroi ministri gjerman për Evropën, Gunther Krichbaum.
Kjo nuk është hera e parë që BE po eksploron huazimet e përbashkëta. Në vitin 2020, për herë të parë, u lejuan emetimet e bonove për të përballuar pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19, por me kusht që të ishte një rast i vetëm.
Komisioni Evropian e sheh këtë si një mënyrë për të shmangur varësinë nga kontributet e drejtpërdrejta të vendeve anëtare dhe për të krijuar një fuqi fiskale të përbashkët.
Për vendet me borxhe të larta si Italia dhe Franca, kjo është një mundësi për të përfituar nga norma më të ulëta interesi. Ndërkohë, kritikët paralajmërojnë se rreziku i ndarjes së përgjegjësisë për borxhin e vendeve të tjera është tepër i madh.
Megjithatë, Komisioni nënvizon se asnjë shtet nuk ka dështuar ndonjëherë të shlyejë një hua të BE-së dhe thekson se huazimet do të jenë të kufizuara, jo një “çek i bardhë”.
Në fokus të kësaj nisme është edhe mbështetja për Ukrainën, me një paketë të përzier prej 100 miliardë euro në formë huash dhe grantesh, një pjesë e së cilës pritet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare.
Tregjet financiare deri më tani i kanë mirëpritur këto borxhe të përbashkëta të BE-së, duke i vlerësuar si të sigurta dhe të qëndrueshme, të krahasueshme me ato të institucioneve ndërkombëtare si Banka Botërore.