Temperaturat e larta në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë: Të shmanget puna në ambiente të jashtme nga ora 11:00 deri në 16:00

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka rekomanduar institucionet private dhe publike që të zbatojnë masa për mbrojtje e punëtorëve, pasi vendi është përfshirë nga temperatura të larta.

Masat për mbrojtjen e punëtorëve, të bazuara në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, MSH-ja rekomandoi që të zbatohen nga 11 deri më 15 gusht, kur temperaturat në Kosovë parashihen të jenë mbi 30 gradë Celsius.

Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht te grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Sipas rekomandimit të ministrisë:

duhet të shmanget puna në ambient të jashtëm në periudhën kohore 11:00-16:00,

gratë shtatzëna duhet të lirohen nga puna nga ora 11:00 deri në 16:00,

personat me sëmundje kronike duhet të punojnë me orar të shkurtuar, maksimumi 4 orë në ditë,

duhet të përshtaten oraret e punës për të punësuarit, në mëngjes herët ose pasdite vonë, përfshirë edhe mundësinë e punës nga shtëpia,

duhet të sigurohet ajrosja e mjaftueshme në vendet e punës të mbyllura dhe

duhet të vendosen pika freskimi në vend punishtet e hapura për freskim të punëtorëve dhe të sigurohet qasje në ujë te ftoftë për ta.