Shpëtoi të plagosurit e aksidentit në Fier, efektivi nderohet me Certifikatën për Shërbime të Dalluara

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka vlerësuar veprimin e policit Klajdi Mustaj, që shpëtoi të aksidentuarit në një aksident rrugor në Qafën e Koshovicës në Fier mbrëmjen e së premtes.

Efektivi i cili është pjësë e Policisë së Shtetit është nderuar me Certifikatën për Shërbime të Dalluara.

Aksidenti ndodhi pasditen e djeshme në Qafë Koshovicë, ku një automjet tip “Benz” doli nga rruga dhe u përmbys. Si pasojë e aksidentit u plagosën tre persona, ku njëri prej tyre ndodhet ende në gjendje të rëndë.

Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm Ilir Proda:

“Veprimi i Inspektor Klajdi Mustaj tregon më së miri misionin e Policisë së Shtetit: të jemi aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ne. Guximi, profesionalizmi dhe reagimi i shpejtë i punonjësit tonë në shpëtimin e tre bashkëqytetarëve është shembull frymëzues për të gjithë trupën policore. I shpreh mirënjohjen time dhe të gjithë Policisë së Shtetit për këtë akt human e profesional. Faleminderit për guximin dhe zemrën e madhe që tregove në shërbim të qytetarëve.

Angazhimi, përkushtimi, profesionalizmi, sakrifica, ndershmëria dhe humanizmi duhet të jenë motoja jonë në përmbushjen e detyrës, fytyra dhe imazhi i ri i Policisë së Shtetit.”

Inspektor Klajdi Mustaj është pjesë e Policisë së Shtetit prej shkurtit 2024, kur përfundoi Kolegjin Profesional për Patrullë të Përgjithshme. Ka përfunduar studimet për Shkencat Juridike (Bachelor) dhe aktualisht vazhdon studimet për Master.