Vdekja e djalit në Greqi që shndërroi ish-policin në një vrasës! Si nisi 33 vite më parë historia e gjakmarrjes me 5 viktima

Detaje të reja janë mësuar nga vrasja e 65 vjeçarit Frrok Lleshaj në fshatin Paçram të Vaut të Dejës. Nga dëshmitë e para raportohet se fqinjët nuk kanë dëgjuar të shtëna, duke hedhur dyshime se në krim është përdorur një pistoletë me silenciator.

Pista kryesore e vrasjes për policinë mbetet ajo e gjakmarrjes. Hasmëria mes familjes Lleshaj dhe dy familjeve të tjera ka prodhuar që nga fillim vitet ’90, 5 viktima deri më tani.

Frrok Lleshaj është i treti që vritet pas djalit dhe vëllait të tij në fillim vitet ’90 ndërsa të vrarë janë edhe kushëriri i tij Dodë Lleshaj me të cilin lindi konflikti dhe një shtetas tjetër nga Puka.

Gjithçka nisi në vitin 1991 kur djali i 65 vjeçarit u vra në Greqi. Asokohe u tha se të riun e vrau policia greke në rrethana që nuk dihen por familja e Frrok Lleshaj dyshonte se kishin gisht në këtë ngjarje kushërinjtë e tij.

Kështu pak vite më vonë ka dyshime të forta se 65 vjeçari mori gjakun e djalit të tij duke vrarë kështu kushëririn Dodë Lleshaj. Pavarësisht dyshimeve dhe akuzave, Frrok Lleshaj nuk e pranoi asnjëherë autorësinë e kësaj ngjarje.

Ndërkohë një tjetër konflikt lindi me një familje nga Puka. Frrok Lleshaj qëlloi për vdekje një person tjetër, ngjarje të cilën e pranoi në gjykatë dhe për të cilën u dënua me 25 vite burg.

Nga këto dy hasmëri të vjetra mbetet i vrarë edhe vëllai i Frrok Lleshaj. Bashkë me 65-vjeçarin që u qëllua mbrëmjen e 4 gushtit me pistoletë shkon në 5 numri i viktimave për shkak të gjakmarrjes.