RTSH në krizë/ Eni Vasili kërkon buxhet shtesë nga “Financat”: Janë konstatuar miliona euro abuzime, do të kërkoj auditim

Në Radio Televizionin Shqiptar duket se ka krizë, kjo për shkak të shpërdorimit të fondeve. Drejtoresha e re e RTSH-së, Eni Vasili i është drejtuar me një kërkesë Ministrit të Financave Petrit Malaj, për mbështetje financiare prej 200.000.000 lekësh shtesë nga Buxheti i Shtetit, për shkak të situatës të vështirë financiare, që kanë ardhur për disa arsye.

Sipas dokumenteve që i janë dërguar Ministrisë së Financave, nga proceset gjyqësore të hapura nga punonjës të larguar në mënyrë të paligjshme gjatë kohës së drejtimit nga Alfred Peza, RTSH ka humbur deri më 31 maj mbi 730 mijë euro në pagesa detyruese.

Nëse llogariten edhe proceset gjyqësore në vazhdim, rreziku financiar i projeksionuar është mbi 4 milionë euro.

Një tjetër humbje masive vjen nga kontratat për të drejtat televizive, të cilat sipas auditimeve të brendshme kanë shkaktuar një tjetër gropë prej rreth 4 milionë euro, gjysma e të cilave janë shpenzime të pa planifikuara, jashtë buxhetit vjetor.

Në total, dëmi i përllogaritur që ka lënë pas menaxhimi i mëparshëm është mbi 8 milionë euro, ose rreth 1/3 e buxhetit vjetor të RTSH, që financohet me rreth 25 milionë euro nga taksat e qytetarëve dhe buxheti i shtetit.

Ndërkohë Vasili paralajmëruar se do të kërkojë një auditim të plotë të strukturës dhe projekteve të RTSH-së, për të kuptuar se ku kanë përfunduar fondet publike.

Gjatë drejtimit të RTSH-së nga ish-deputeti socialist, u shkarkuan nga puna dhjetëra gazetarë, kameramanë dhe moderatorë emisionesh, të cilët u zëvendësuan me njerëz të afërt e të besuar të Alfred Pezës, teksa shumë prej të larguarve arritën të fitojnë edhe gjyqin me RTSH-në, duke marrë miliona lekë dëmshpërblim.