EMRI/ U konfliktua me një person, arrestohet efektivi i Policisë në Dibër

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës – Dibër) ka arrestuar një punonjës policie të Komisariatit të Policisë Kufitare Dibër, pas dyshimeve të arsyeshme se ai ka kryer shkelje të rënda të detyrës gjatë ushtrimit të funksionit të tij.

Në pranga ka rënë Vlash Ashiku, me detyrë Ndihmës/specialist në Seksionin e Hetimit dhe Zbatimit të Masave Plotësuese dhe Kontrollit të Territorit, në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër.

Ai akuzohet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Kryerja e veprimeve arbitrare”, të parashikuara nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

Sipas njoftimit zyrtar të AMP-së, arrestimi është bërë pas veprimeve të para hetimore, të cilat kanë nxjerrë prova dhe fakte të besueshme se më datë 2 korrik 2025, rreth orës 01:30, në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, punonjësi i policisë është përfshirë në një konflikt fizik me një qytetar, banues në Dibër, duke tejkaluar kompetencat ligjore dhe duke ndërmarrë veprime që bien ndesh me ligjin dhe etikën e shërbimit.

AMP thekson se hetimet për këtë rast vijojnë me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe ndjekjen penale të përgjegjësve, në funksion të forcimit të integritetit dhe llogaridhënies në radhët e Policisë së Shtetit.