Shoqatat e gazetarëve kundër Kodit të ri Penal, reagon Rama: Rrini të qetë se nuk ju vjen asnjë e keqe

Drafti i Kodit të ri Penal ka hapur diskutime të shumta në Shqipëri, ku të vetmit që e mbështesin janë qeveria dhe grupi i ekspertëve që e kanë hartuar, ndërsa gjithë aktorët e tjerë dhe institucionet e drejtësisë e kanë kundërshtuar.

Sot, Shoqata e Gazetarëve ka reaguar kundër disa ndryshimeve të propozuara në Kodin e Ri, pasi disa nene shkelin lirinë e fjalës dhe punën e medias, duke shtuar sanksionet penale, deri edhe në burgosje për gazetarët.

Gjithashtu, edhe delegacioni i Bashkimit Europian i ka bërë thirrje qeverisë që të bëhet konsultim me të gjithë institucionet e drejtësisë, pasi SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme deklaruan se nuk kanë qenë pjesë e hartimit të draftit.

Lexo edhe: “Udhëheqja” shpëton nga meme-t, 3 vite burg kush tallet me Begajn dhe Qeverinë

Ndërkohë, pas deklaratës së Shoqatës së Gazetarëve, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili thotë se gazetarët nuk duhet të bëjnë deklarata të nxituara dhe qesharake, por të ulen me grupin e ekspertëve dhe të ballafaqojnë opinionet e tyre.

Sipas kreut të qeverisë, gazetarët duhet të rrinë të qetë se nuk ju vjen asnjë e keqe nga Kodi i ri Penal.

Por, ngrihet pyetja: A janë gazetarët imun ndaj ligjeve nëse ky Kod Penal miratohet, apo në Shqipëri nuk dënohesh në bazë të ligjit, por dëshirës së një personi që ka në dorë gjithë pushtetet?

Reagimi i kryeministrit Edi Rama:

Shoh që disa shoqata gazetarësh na kanë bërë një thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të Ri Penal, çka tregon se ata që duhet të informojnë publikun për procesin e saponisur të diskutimit të këtij drafti nuk e kanë kuptuar akoma (edhe pse u tha shumë qartë nga ministri i drejtësisë) se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave, nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit po ia kanë besuar një grupi ekspertësh të nderuar, nën udhëheqjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Profesor Arben Rakipit.

Kështu, hëpërhë qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e kemi marrë e po e studiojmë draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve, gjë që ua sugjerojmë edhe shoqatave të alarmuara për lirinë e shtypit, të cilat në këtë fazë, në vend se të alarmohen duhet të ndjehen shumë të lehtësuara e të respektuara, sepse kanë të gjithë kohën e nevojshme për ta studiuar e pastaj ballafaquar draftin e Kodit të Ri Penal me grupin e punës, njësoj siç do të bëjë qeveria e siç duhet të bëjnë të tëra palët e interesuara – sidomos ato brenda sistemit, të cilat në vend se të japin deklarata sa të nxituara aq edhe qesharake për shtyp, bëjnë mirë të ulen me grupin e ekspertëve dhe të ballafaqojnë opinionet e tyre.

Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku kush do të kontribuojë për një Kod të Ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush.

Pasi të bëhen të gjitha ballafaqimet e grupit të punës me të gjitha palët e interesuara dhe në pavarësi të plotë nga qeveria, Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar e do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament!

Kështu që miq të shoqatave të shtypit rrini të qetë se nuk ju vjen dot asnjë e keqe nga Kodi i Ri Penal, në Shqipërinë që po shkon në BE dhe jo në BRSS