SPAK doli sot në një konferencë për mediat duke bërë me dije se në bashkëpunim me autoritetet gjermane kanë goditur një grup kriminal për mashtrim kompjuterik
Prokurori i SPAK, Eneid Nakuci dha detaje rreth këtij grupi të strukturuar kriminal ndërsa hetimet kishin nisur në dhjetor të 2023-it. Si rezultat i operacionit “Pandora” janë dhënë 5 masa “arrest me burg” dhe tre “arrest shtëpie”.
Nakuci zbardhi për mediat skemën se si mashtronte grupi përmes call centerit në Shqipëri. Grupi funksiononte duke i kamufluar si oficerë policie me qëllim për të rikuperuar fondet e personave që kishin humbur në fushën e kriptomonedhave dhe forex duke u përfshirë edhe në mashtrime bankare.
“U mbyll faza e hetimit në aksionin ‘Pandora’ për call center-at. Hetimi ka nisur në 2023, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme në Gjermani. Grupi vepronte si oficerë policie të rremë që përpiqeshin të rikuperonin dëmet dhe humbjet nga Forex. Në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar, në datën 18 prill të vitit që kaloi, nga ana e Prokurorisë së Posaçme është ushtruar kontroll në ambientet e një call centeri të paligjshëm në Shqipëri ku u gjetën dhe janë sekuestruar prova materiale të dyshuara të shumta, digjitale dhe dokumetare.në kushtet kur kishim të bënim me dy hetime paralele në Gjermani dhe në Shqipëri, rezultatet dhe provat digjitale të kontrolleve u dërguan për një analizë më të thelluar pranë autoriteteve gjyqësore gjermane. Në përgjigje, në sajë të bashkpëunimit gjyqësor ndërkombëtar, nga ana e autoriteteve gjermane u dërgua analiza e plotë e këtyre provave digjitale të cilat të analizuara në harmoni me provat materiale dokumentare të sekuestruara në Shqipëri, ditën e kontrollit, çuan në rezultatin e qartë të ekzistencës të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim mashtrimin e shtetasve gjermanë, por jo vetëm nëpërmjet qendrës së call centerave të paregjistruar si biznes në organet tatimore.– tha prokurori i SPAK.