Politologu Afrim Krasniqi ka treguar një episod që ka ndodhur gjatë trajnimit të deputetëve të rinj socialistë në Akademinë Politike të PS-së.
Ai tha se njëri prej deputetëve të rinj të Shkodrës ka pyetur se si mund të bënte një ligj dhe procedura që duhej ndjekur, por përgjigja që mori ishte e papritur, pasi relatori i ka thënë: Rri rehat se s’të ka sjellë njeri ty për të bërë ligje.
Një përgjigje që e ka lënë pa fjalë deputetin e ri, teksa edhe të tjerët i kanë dalë kundër, duke i thënë të mos bëjë pyetje të tilla.
Për Krasniqin, gabimi i PS-së me Akademinë Politike është se vendosën trajnues persona që nuk kanë prodhuar kurrë politikë ose ata që janë nën hetim nga SPAK.
“Një nga deputetët e Shkodrës, që është pa përvojë, me shumë sinqeritet ka thënë: “Unë kam një pyetje, dua të bëj një ligj dhe si është procedura që unë të bëj ligjin si dua?”
Përgjigja ka qenë: “Rri rehat se s’të ka sjellë njeri ty për të bërë ligje!”
Interesante ka qenë edhe reagimi i atyre që kishte ngjitur. Se të gjithë iu kthyen: “Je në rregull ti, si bën pyetje të tilla ti. Ne jemi të partisë dhe partia merr vendimin”.
Ajo që nuk shkonte me akademinë Politike, nuk mund të marrësh trajnues figura që sa kanë ardhur nga SPAK dhe do të shkojnë prapë në SPAK, ose që nuk kanë prodhuar kurrë politikë në jetën e tyre. Kjo ishte gafa e rëndë e PS-së. Nuk mund të dërgosh linjën e partisë për t’u thënë “bëhuni si ne”, kur ata s’janë bërë asgjë në jetën politike”, tha Krasniqi në A2.