Një aksident i rëndë është regjistruar në Borsh ku kanë humbur dy persona ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, një furgon dhe një makinë janë përplasur në Borsh duke sjell bilancin tragjik. Viktima është drejtuesi i furgonit Kujtim Mehmeti, dhe bashkëshortja e tij, e cila nuk është identifikuar ende. Gjithashtu, janë dëmtuar dy të rinj që ndodheshin në automjetin tip “Benz”, të cilët janë dërguar në spitalin e Sarandës.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, por dyshohet se manovrimi i gabuar apo shpejtësia e lartë mund të kenë qenë faktorë që çuan në këtë ngjarje tragjike.
“Sot, rreth orës 14:20, në rrugën e Borshit, janë përfshirë në një aksident rrugor një automjet tip “Benz” me një mjet të llojit furgon. Si pasojë e përplasjes, kanë humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i furgonit, shtetasi K. M., rreth 60 vjeç, dhe një pasagjere në këtë mjet, e cila dyshohet të jetë bashkëshortja e tij, punohet për identifikimin e saj. Gjithashtu, janë dëmtuar dy shtetasit që ndodheshin në automjetin tip “Benz”, konkretisht drejtuesi i mjetit, shtetasi M. Q., dhe pasagjeri, shtetasi P. A., të cilët po transportohen në spital për ndihmë mjekësore”, njofton policia.