Protesta për Belerin, reagon Idrizi: Athina po ndërhyn në punët e brendshme, do ia shohim sherrin kësaj historie nëse Shqipëria nuk vepron

Kreu i PDU, Shpëtim Idrizi, ka reaguar në lidhje me protestën që do të mbahet sot në Himarë për lirirmin e kryebashkiakut të zgjedhur, Fredi Beleri, i cili qëndron në burg prej 12 Majit pasi u kap në flagrancë duke blerë vota.

Sipas Idrizit,pjesëmarrja në protestë e disa kryebashkiakëve grekë tregon se Greqia po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë, dhe nëse shteti shqiptar nuk vepron, atëherë kjo histori nuk përfundon mirë.

“Jo rastësisht është zgjedhur Beleri dhe sot në Himarë vjen kryebashkiaku i Athinës e nipi i Mitsotakis në kulmin e sezonit.

I bëjnë presion sistemit ligjor. Një sistem ligjor nuk mund ta atakosh dhe as nuk mund të komentosh vendimet e saj.  Ndërhyrja e Athinës është ndërhyrje në punët e brendshme, duket e tepruar. Beleri nuk është zgjedhur rastësisht.

Do ia shohim sherrin kësaj historie nëse shteti shqiptar nuk vepron. Duhet të pyesë në rrugë diplomatike se pse duhet të vijë kryebashkiaku i Athinës në Himarë, pse duhet të jetë pjesë e protestës. Është shkelje sovraniteti dhe dinjiteti”, tha Idrizi në News24.