Gazetari Osman Stafa ka bërë një tjetër denoncim sa i takon Spitalit Onkologjik. Ai ka publikuar mesazhin e një prej familjarëve të sëmurë me kancer, e cila e ka njoftuar për mungesën e avastinës, i cili ngadalëson rritjen e tumorit, zgjat jetën dhe përmirëson cilësinë e saj.
Gazetari nënvizon se mungesa e këtj ilaçi jetik nuk është një gabim institucional, por një krim i heshtur institucional. Lidhur me mungesën e këtij ilaçi, Ministria e Shëndetësisë hesht dhe po ashtu drejtuesit e Spitalit Onkologjik, duke mos dhënë asnjë sqarim, por mbi të gjitha sigurimin e avastinës.
Postimi:
Avastina mungon në Onkologjik.
Avastina (kimio) nuk gjendet sot në Spitalin Onkologjik, në QSUT.
Ky nuk është një ilaç i zakonshëm. Avastina ngadalëson rritjen e tumorit, zgjat jetën dhe përmirëson cilësinë e saj. Mungesa e saj nuk është një gabim logjistik. Është një krim i heshtur institucional.
Mjekët u thonë pacientëve: “nuk ka”. Dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Ministria e Shëndetësisë hesht.
Drejtuesit e spitalit heshtin.
Por kanceri nuk pret. Ai përparon çdo ditë, ndërsa pacientët braktisen nga një sistem që i trajton si numra, jo si jetë njerëzore.
Në një vend me 7000 raste të reja me kancer çdo vit, mungesa e ilaçeve nuk është më “problem administrativ”, është dënim me vdekje i heshtur.
Nëse Avastina mungon, atëherë shteti mungon. Dhe nëse shteti mungon për më të sëmurët, për kë ekziston?