Prokuroria e Fierit ka zbardhur akuzat ndaj katër zyrtarëve të Bashkisë Fier, të dyshuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe shpërdorim detyre. Sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, ndaj tyre janë vendosur masa sigurie, përfshirë “arrest në shtëpi”, pezullim nga detyra dhe ndalim daljeje nga territori i Republikës.
Në qendër të hetimeve është Adela Hysenaj, drejtoreshë e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Urbanistikës, e cila dyshohet se në pesë raste ka ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj një vartëseje, duke i kërkuar të lëshonte vërtetime dhe përllogaritje të taksave nën vlerën reale. Po ashtu, ajo akuzohet se nuk ka marrë masat për vendosjen e pajisjeve fiskale në parkimet e bashkisë, duke shkaktuar një dëm financiar mbi 40 milionë lekë.
Anisa Cjapi, drejtoreshë e Taksave dhe Tarifave Vendore, dyshohet se ka manipuluar faturat për subjekte të caktuara, duke i ndryshuar vlerat sipas kërkesave të tyre, dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për fiskalizimin e pikave të parkimit.
Martin Dodi, sekretari i përgjithshëm i Bashkisë Fier, akuzohet se ka ndërhyrë tek Cjapi për të favorizuar një subjekt privat në uljen e detyrimeve tatimore.
Ndërkohë, Vasil Çeku, drejtor i Kontrollit Tatimor për Rajonin Jugor, akuzohet se ka urdhëruar një kontroll tatimor pa autorizim nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, duke shkelur procedurat dhe pa ndjekur më pas hapat ligjorë për rikontroll.
Gjykata ka vendosur:
“Arrest në shtëpi” për Adela Hysenaj dhe Vasil Çekun;
“Pezullim nga detyra” për Anisa Cjapin;
“Pezullim nga detyra” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit“ për Martin Dodin.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.68 të vitit 2025 për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.
Nga hetimet e deritanishme, ku janë përdorur edhe metodat speciale të hetimit, rezulton se:
• Personi nën hetim Adela Hysenaj, me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Urbanistikës në Bashkinë Fier, duke shfrytëzuar pozicionin e saj, në pesë episode, ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek Drejtoresha e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore të Bashkisë Fier, me qëllim që kjo e fundit të lëshonte vërtetime për pagesën e detyrimeve dhe përllogaritje të taksave e tarifave vendore nën vlerën e përcaktuar.
Gjithashtu, personi nën hetim Adela Hysenaj nuk ka marrë masat e nevojshme për vendosjen e pajisjes fiskale në parkimet e Bashkisë Fier dhe si pasojë e mosveprimeve të saj, vlera e të ardhurave të krijuara për të cilat nuk është paguar asnjë tatim është 40.912.640 lekë dhe detyrimi tatimor i shmangur është i lartë.
• Personi nën hetim Anisa Cjapi me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, ka lëshuar fatura të taksave dhe tarifave mbi vlerën reale, për subjekte të caktuara, vlera e të cilave ka ndryshuar pas ankesës së subjekteve, në disa raste duke u ulur tej parashikimeve të vendimeve të Këshilli Bashkiak Fier. Po ashtu, në funksion të detyrës, personi nën hetim nuk ka marrë asnjë masë në lidhje me fiskalizimin e pikave të parkimit të mjeteve të cilat janë në administrimin e Bashkisë.
• Personi nën hetim Martin Dodi, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier, ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek personi nën hetim Anisa Cjapi, me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për t’i ulur vlerën e detyrimeve që do të paguante më pas shtetasi A.M. subjekt privat.
• Personi nën hetim Vasil Çeku me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Kontrollit Tatimor Rajoni Jugor, me një urdhërin të nxjerrë prej tij në muajin maj të vitit 2024 ka detyruar inspektorët tatimorë të kryejnë kontroll në një subjekt tregtar, pa pasur më parë një urdhër pune nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Pas kryerjes së kontrollit, personi nën hetim nuk ka kryer procedurën ligjore për të kërkuar rikontroll në Drejtorinë e Përgjithshme. Rezulton gjithashtu se nga ana e personit nën hetim nuk është mbikëqyrur fushata sensibilizuese, pasi nuk është kontrolluar asnjë subjekt tjetër. Procedura e ndjekur në kontrollin e vitit 2024 bie ndesh me procedurën e ndjekur në vitin 2025.
Në vijim të veprimeve procedurale, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka paraqitur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkesën për caktimin e masave të sigurimit ndaj personave nën hetim Adela Hysenaj, Anisa Cjapi, Martin Dodi, Vasil Çeku. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka pranuar kërkesat e Prokurorisë, duke vendosur:
– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” ndaj personit nën hetim Adela Hysenaj e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.
– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” dhe masën ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj personit nën hetim Vasil Çeku, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
– Caktimin e masës së sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj personit nën hetim Anisa Cjapi, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
– Caktimin e masës ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe masën e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” ndaj personit nën hetim Martin Dodi i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.