Endri Shabani tregon prapaskenat: Përçarjet nisën gjatë fushatës, Adriatik Lapaj nuk pyeste për asnjë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shpërndajë këtë javë mandatet e deputetëve për qarkun e Tiranës, teksa në koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet nuk është zgjidhur ende konflikti i brendshëm se kush do e marrë mandatin.

Nëse KQZ pranon tërheqjet nga kandidimi të kandidatëve në listën e mbyllur, atëherë ky mandat do t’i shkojë Adriatik Lapajt, si më i votuari i listës së hapur. Por, nëse pranohen revokimet disa prej kandidatëve, ka shumë gjasë që ky mandat t’i shkojë Kleana Xhuvelit, të tretës në listën e mbyllur, pasi ka njoftuar KQZ-së se kërkon që ta marrë mandatin nëse do t’i vijë radha.

Ndërkohë, përplasjet janë bërë edhe më të forta, me aktivistë të Shqipëria Bëhet që kanë kërcënuar Endri Shabanin dhe dajën e tij, Zeqir Kordhonin, pasi ky i fundit ishte i pari që kërkoi të mos hiqte dorë nga mandati.

Sipas Endri Shabanit, Adriatik Lapaj kishte premtuar dorëheqjen nga mandati nëse koalicioni merrte vetëm 1 deputet, por nuk e mbajti fjalën.

“Lapaj në fillim tha do japë dorëheqjen, pastaj tha do pyesë kryesinë, më vonë tha se nuk e lejonin të dorëhiqej. Kjo është e njëjta sjellje si klasa e vjetër politike, premtojnë dorëheqje dhe nuk e mbajnë fjalën. Si t’i kërkoj unë kandidatëve të listës të mbajnë fjalën, nëse lideri i koalicionit nuk e mban”, u shpreh Shabani në News 24.

Ai tregoi edhe disa nga prapaskenat e fushatës, ku tha se përplasjet mes tyre dhe anëtarëve të tjerë të koalicionit kishin nisur përpara 11 Majit.

Shabani tha se Adriatik Lapaj nuk pyeste për asnjë dhe vendoste vetë se kush do të fliste e si do të fliste, ndaj kjo solli reagime nga ana e anëtarëve të Nismës Thurje, të cilët ndiheshin të përjashtuar nga vendimmarrja.

“Lapaj vendoste kush flet, si flet, për gjithçka. S’pyeste për askënd”, deklaroi ai.