Momente paniku dhe kaosi janë regjistruar mbrëmjen e kaluar në klubin e natës “Lollipop” në Palasë, ku po zhvillohej një koncert me praninë e shumë qytetarëve dhe këngëtarit të njohur Yll Limani, raporton JOQ.
Ngjarja ka nisur pas një konflikti mes dy grupeve brenda lokalit, i cili ka degjeneruar në përplasje fizike. Dyshohet se gjatë përplasjes është përdorur edhe armë zjarri, duke krijuar një situatë të frikshme për të pranishmit.
Për shkak të pasigurisë së krijuar, stafi ndërhyri për të larguar artistin nga skena, ndërsa publiku u përfshi nga paniku. Të pranishmit u drejtuan me nxitim drejt daljeve të emergjencës, duke shtyrë njëri-tjetrin në përpjekje për t’u larguar sa më shpejt. Gjatë rrëmujës, disa persona janë rrëzuar dhe janë dëmtuar nga sendet e thyera në ambient.
Nga incidenti, raportohen disa të plagosur lehtë si pasojë e goditjeve apo thyerjeve të objekteve. Mjaft të pranishëm kanë humbur sende personale si telefona, çanta dhe para. Ndërkohë, ka pasur pakënaqësi të theksuara për mënyrën e menaxhimit të situatës dhe mungesën e reagimit të shpejtë nga ana e stafit të sigurisë.
Deri në këto momente, nuk ka një deklaratë zyrtare as nga administrata e klubit apo autoritetet.