Një operacion policor i zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm në veri të Italisë ka çuar në goditjen e një rrjeti kriminal me përbërje kryesisht shqiptare, të specializuar në trafikun dhe kultivimin e narkotikëve. Të paktën 11 shtetas shqiptarë janë arrestuar gjatë operacionit të koduar “Djali”, ndërsa shtatë të tjerë janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Aksioni u zhvillua nga karabinierët e Bra dhe Cuneo, me mbështetjen e forcave ajrore dhe njësive të qenve të drogës të stacionuara në Volpiano. Hetimet kishin nisur në tetor të vitit të kaluar dhe çuan në zbulimin e tre grupeve kriminale që operonin prej vitesh në tregtinë e lëndëve narkotike, kryesisht kokainë dhe kanabis.
Sipas hetuesve, dy nga grupet ishin të përqendruara në shpërndarjen me pakicë të kokainës në zonën e Bra-s. Ata përdornin të rinj shqiptarë të moshës 20 deri në 25 vjeç, të cilët qëndronin në Itali për 90 ditë, aq sa zgjaste viza turistike, dhe më pas ktheheshin në Shqipëri. Pagesa për çdo të ri arrinte deri në 3,000 euro në muaj, së bashku me akomodim dhe ushqim. Fitimet e përditshme kapnin shifrën e rreth 1,000 eurove dhe dërgoheshin në Shqipëri përmes korrierëve të organizuar.
Grupi i tretë ishte i specializuar në kultivimin e kanabisit “sativa”, me plantacione të shpërndara në disa zona të Italisë Veriore. Gjatë hetimeve u sekuestruan mbi një ton drogë, përfshirë marijuanë të paketuar dhe bimë kanabisi, me një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth 1.5 milionë euro.
Autoritetet italiane zbuluan se grupi kishte ngritur një strukturë funksionale të ngjashme me një kompani ligjore, duke përdorur teknologji moderne për rritjen dhe përpunimin e drogës dhe duke rekrutuar staf të specializuar në mënyrë të vazhdueshme.
Gjatë kontrolleve, përveç drogës, u sekuestruan rreth 1 kilogram kokainë dhe 15,000 euro cash. Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet janë në kërkim të pjesëtarëve të tjerë të rrjetit të arratisur jashtë vendit.