Apeli i Posaçëm ka marrë në shqyrtim ankimin e Ilir Metës kundër vendimit të Shkallës së Parë të 26 qershorit, që vijoi masën “arrest në burg” ndaj ish-kreut të shtetit.
Para nisjes së seancës në një deklaratë të shkurtër për mediat, avokati i tij Kujtim Cakrani u shpreh besimplotë se klienti i tij do të lirohet.
“Patjetër që do lirohet, e ka thënë Ajatollahu sot, do ta lirojmë”., theksoi ai.
Po ashtu, Meta ka bërë ankim në Gjykatën Kushtetuese ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila po ashtu e la në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, Meta shprehet se vendimet e 3 gjykatave ai i Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Apelit, dhe Gjykatës së Shkallës të Parë, për masën arrest me burg ndaj tij, janë antikushtetuese, pasi shkelin Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se po mbahet në qeli pa akuzë.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta akuzohet për veprat penale “pastrim parash”, “korrupsion” dhe “mosdeklarim pasurie”.
Ndërkaq, Meta ndodhet në paraburgim që prej 24 tetorit të vitit 2024.