Qeveria hap zyrtarisht pikën kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës

Këshilli i Ministrave ka miratuar zyrtarisht vendimin për hapjen e pikës së kalimit kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke i hapur rrugë funksionimit të plotë të këtij aeroporti për qarkullimin ndërkombëtar ajror të udhëtarëve.

Vendimi është marrë në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit për kontrollin kufitar, me propozim të Ministrisë së Brendshme.

Sipas dokumentit zyrtar, pika kufitare do të shërbejë për kalimin e shtetasve që udhëtojnë nëpërmjet aeroportit të ri ndërkombëtar në jug të vendit.

VENDIMI I QEVERISË:

HAPJEN E PIKËS SË KALIMIT KUFITAR NË AEROPORTIN NDËRKOMBËTAR TË VLORËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 8, të    ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.Hapjen e pikës së kalimit kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës për qarkullimin ndërkufitar ajror të shtetasve.

2.Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.