Koalicioni përçahet zyrtarisht! Adriatik Lapaj: Zeqiri dhe nipi i tij nuk do marrin asnjë mandat; Shabani ironizon: Ku ta dija unë i varfri, se armiku ishim ne

Mandati i vetëm i fituar nga koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka futur në sherr Adriatik Lapaj dhe Endri Shabanin, pas vendimit të njërit prej kandidatëve të listës së mbyllur për të mos e dorëzuar mandatin.

Letra e dërguar në KQZ e Zeqir Kordhonit, daja i Endri Shabanit, ku thotë se nuk do e japë dorëheqjen por do marrë mandatin, ka sjellë edhe reagimin e Adriatik Lapajt, që synonte të futej në Parlament si më i votuari i listës së hapur.

Në nj postim në rrjetet sociale, ai thotë se as Zeqir Kordhoni e as Endri Shabani nuk do marrin mandat, por thjesht do ndalojnë atë të shkojë në Parlament. Lapaj hedh akuza duke thënë se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë, por ndaj tij po bëhet padrejtësi dhe populli do t’i gjykojë.

“Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem.

Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament.

Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë.

Nëse Endri Shabani do të mbahet mend kështu në jetën publike, mbarë u shkoftë bashkë me dajon!

Jam krenar që u luftova nga çdo anë dhe nuk u ndala! U luftova nga Rama, Saliu dhe këta “të rinjtë”, deri dhe te ky që e futa në gji…nga të gjithë.

Ndaj meje dhe krejt ekipit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet po konsumohet publikisht PADREJTËSI!

Populli do gjykojë”, shkruan Lapaj.

Ndërkohë, ka ardhur edhe reagimi i Endri Shabanit, i cili ka zgjedhur të ironizojë postimin e Lapajt me vargjet e poezisë së Kico Spirit.

Mora pushkën dola malit,

Të luftoja për atdhe,

Ku ta dija unë i varfri,

Se armiku ishim ne.

Mora pushkën dola malit

Të luftoja në furtunë;

Ku ta dija unë i ngrati

Se armiku isha unë.