Ndërtime me tenda hekuri në hapësira publike, Rama paralajmëron ndëshkime: Legalizime kriminale, do shemben dhe zyrtarët do hetohen

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj një fenomeni që sipas tij po dëmton rëndë hapësirat publike në zonat urbane: legalizimi i ndërtimeve të paligjshme me struktura hekuri në trotuare apo ambiente të përbashkëta.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama publikon dokumentin zyrtar të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ku anulohet një vendim për legalizimin e një shtese ndërtimore anësore, e ngritur pranë një objekti ekzistues në Njësinë 8 në Tiranë. Kjo shtesë, e përshkruar si tendë hekuri e instaluar në hapësirë publike, ishte pajisur me vendim legalizimi më 12 mars 2025.

“Për të gjitha këto lloj çmendurish me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, të cilat kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike duke ngritur tenda hekuri, jo vetëm që do të reagohet me zero tolerancë duke i anulluar ligjërisht, por do të miratohet së shpejti edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit dje apo të Kadastrës më pas, që kanë firmosur për këto legalizime kriminale në mes të lagjeve të qyteteve tona,” shkruan Rama.

Kryeministri e cilëson këtë praktikë si një formë “legalizimi kriminal”, që ka ndodhur përmes firmave të punonjësve të institucioneve përgjegjëse, të cilët, sipas tij, do të përballen me përgjegjësi penale.