Gjykata e Posaçme liron nga burgu ish-shefin e Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë

Gjykata e Posaçme ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-shefin e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, Roven Zeka, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.

Zeka, shefi i aksidenteve, Sokol Novaku dhe oficeri i policisë gjyqësore, Edison Tabaku dyshohen se kanë marrë ryshfet në lidhje me një aksident të regjistruar më 16 Prill në Tiranë.

Automjeti që drejtohej nga Anisa Vrioni është përplasur me një automjet tjetër ku udhëtonin 5 persona, të cilët kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital.

“Pas të dhënave dhe informacionit të siguruar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka rezultuar se punonjës të policisë rrugore i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit, shtetases A.V, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj. Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga personi nën hetim E.V, me ndihmën e personave të tjerë.  Këtë shumë ai ia kanë dorëzuar njërit prej punonjësve të policisë rrugore – fakt i provuar gjatë hetimit”- thuhej në njoftimin e SPAK.