Një raport paraprak ka zbuluar se një ndërprerje e furnizimit me karburant të motorëve shkaktoi rrëzimin e Air India muajin e kaluar që vrau 260 persona.
Avioni me destinacion Londrën mezi kishte dalë nga pista në aeroportin e Ahmedabadit kur u kthye me shpejtësi në tokë. Të gjithë në bord vdiqën, përveç një pasagjeri.
Sipas raportit të Byrosë së Hetimit të Aksidenteve të Avionëve të Indisë, të siguruar nga CNN, çelësat e kontrollit të karburantit në kabinën e Boeing 787 Dreamliner ishin ndezur, duke i lënë motorët pa karburant.
Hetuesit arritën të merrnin të dhëna nga regjistruesit e “kutisë së zezë” të aeroplanit, duke përfshirë 49 orë të dhëna fluturimi dhe dy orë audio nga kabina e pilotit, përfshirë edhe nga rrëzimi.
Avioni kishte arritur një shpejtësi ajri prej 180 nyjesh kur çelësat e ndërprerjes së karburantit të të dy motorëve “kaluan nga pozicioni RUN në pozicionin CUTOFF njëri pas tjetrit me një interval kohor prej 01 sekondash”, sipas raportit.
“Në regjistrimin e zërit në kabinën e pilotit, njëri nga pilotët dëgjohet duke e pyetur tjetrin pse e ndërpreu furnizimin. Piloti tjetër u përgjigj se nuk e bëri këtë”, thuhet në raport.
Pak më vonë, çelësat u kthyen në vendin ku duhej të ishin dhe motorët ishin në procesin e rindezjes kur ndodhi përplasja.
Në avion, çelësat e ndërprerjes së karburantit janë midis vendeve të dy pilotëve, menjëherë pas levave të gazit të aeroplanit. Ato janë të mbrojtura në anët nga një shufër metalike dhe kanë një mekanizëm kyçjeje të projektuar për të parandaluar ndërprerjen aksidentale.