Mbështeti prishjen e ndërtimeve në Theth, deputetja “neomalsore” e Ramës evazion fiskal me biznesin e saj

Marjana Koçeku, që e konsideron veten “neomalsore”, do të jetë deputete në Kuvendin e Shqipërisë duke nisur nga Shtatori, pasi u vendos në krye të listës së sigurt të qarkut të Shkodrës nga kryeministri Rama në zgjedhjet e 11 Majit.

Por, duket se ato pak leksione që ka marrë deri më tani në Akademinë Politike të PS-së kanë bër që edhe ajo të ndjekë shembullin e politikanëve të vjetër, atë të dorëzimit pa kushte para kryetarit të partisë.

Në një postim të pak ditëve më parë, ajo i doli në krah kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Benet Beci për prishjen e godinave në Theth, pavarësisht protestave të pronarëve që kanë shpenzuar kursimet e një jete apo kanë marrë kredi për t’i ndërtuar.

Me devotshmëri të madhe ndaj kryetarit të saj, Koçeku shprehej se Rama dhe Beci kanë bërë ndërhyrje të domosdoshme në mbrojtje të Thethit, duke shkatërruar godinat në mes të sezonit turistik.

“Dje ne Theth u prek nji plage qe po thellohej dita dites e që lidhet me identitetin dhe estetiken tone kulturore e natyrore. Plaga e ndertimeve pa identitet, pa historik e pa miratim ligjor.

Kryeministri @ediramaal dhe Kryetari @becibenet kane ba nji nderhyrje te domosdoshme ne mbrojtje te fshatit Theth qe asht edhe kopertina e turizmit shqiptar.  Duhet respektu nji standart i mirefillte estetik, urbanistik dhe ligjor ne zonat historike dhe turistike.

Per hir te t’pareve tane te mos e vrasim identitetin!  Natyra dhe historia s’falin”, shkruante ajo.

Por, një denoncim i gazetarit Klevin Muka duket se ka nxjerrë në pah se “neomalsorja” e Ramës është duke bërë evazion fiskal me biznesin e saj në Vaun e Dejës.

Në një denoncim publik, ai tregon me dokumente se Marjana Koçeku e ka pezulluar aktivitetin e saj në QKB në 4 Korrik 2025, ndërkohë që aktiviteti i saj vijon, pavarësisht se nuk ka asnjë licencë aktive.

Siç duket edhe në postimet në rrjetet sociale në faqen me emër “Neomalesorja Agrotourism”, aktiviteti i saj vijon edhe pas pezullimit të licencës, çfarë përbën shkelje të ligjit.

Mesa duket, edhe “neomalsorja”, ashtu i kryetari i saj, ecin me shprehjen: Bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë!

Denoncimi i gazetarit Klevin Muka:

A po ben Neomalsorja, evazion fiskal?

Denoncim publik!

Drejtuar Ministrise se Financave, Drejtorise se Pergjithshme te Tatimeve, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore!

Kam dyshime se subjekti tregtar me emer “Neomalesore agrotourism” me adrese “Shkodër, Vau Dejës, Vau Dejës, Vau Dejës, Rruga e Liqenit të Komanit, Ndërtesa nr. 21”, ne administrinin e shtetases Marjana Koçeku vijon aktivitetin edhe pse nuk ka asnje license aktive ne QKB.

Sipas materialeve te publikuara ne rrjetet sociale ne faqen me emer Neomalesore_agrotourism ky biznes vijon aktivitetin e plote, ndonese prej dates 4 Korrik figuron me aktivitet te pezulluar ne QKB.

Me kerkese te administratores Marjana Koçeku, QKB ka pezulluar aktivitetin e subjektit “Neomalesorja Agrotourism” me date 04.07.25.

Sipas nenit 180 të Kodit Penal të Shqipërisë, “Neomalesorja” po ben evazion fiskal!

Ju lutem verifikojini nese dyshimet e mia jane te arsyeshme apo jo!