Një grup administratorësh të bizneseve lokale në zonën e Lungomares në Vlorë kanë zhvilluar një takim me praninë e kreut të Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.
Qëllimi i takimit ishin diskutimet për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për hapësirën publike, pasi bizneset kërkojnë që të kenë të njëjtat hapësira si më parë.
Në shenjë kundërshtie ndaj urdhrit të kryeministrit Rama, disa tregtarë në Lungormare kanë kërcënuar me mbyllje të aktivitetit.
“Kjo masë duhej të ishte bërë kur ne të ishim të përgatitur para zgjedhjeve ose para sezonit ose mbas sezonit. Si mund të godasësh tjetrin në momentin më të dobët të tij. Vlora është një vend sezonal, të gjithë bizneset mezi presin këtë muaj që të bëjnë llogaritë e gjithë vitit më mbrapa, është e patolerueshme. Ne jemi mbledhur për të shkuar drejt mbylljes totale të bizneseve në shenjë proteste.”, tha njëri prej tyre.
Të tjerë që janë rikthyer dhe kanë investuar në Vlorë thonë se po mendojnë të largohen sërish.
“Nuk marrim masa ekstreme, të mos i ngatërrojmë gjërat. Unë jam një njeri që kam ardhur nga jashtë shtetit. Jam rritur jashtë shtetit dhe ky është viti im i parë që kisha dëshirë të kthehesha në Shqipëri. Bëra një biznes me shumë lekë, ka një muaj e gjysëm që e kam hapur dhe është fatkeqësi për mua vitin e parë që erdha, po lë zemër e djersë. Apo të kthehem prapë?”, tha ai.